Gjykimi për të akuzuarit për mashtrim me tender

Zyrtarë të komunës së Gjilanit e pronarë biznesesh para Gjykatës për trashësinë e asfaltit e urat pa projekt

Salih Kqiku, shef i zyrës së Prokurimit në Komunën e Gjilanit, ish drejtori i Urbanizmit Valon Shefkiu, udhëheqësi i zyrës së Prokurimit Izet Kurteshi, dhe ish-zyrtarja e shërbimeve publike, Ganimete Kastrati, janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit.

Bashkë me ta, në këtë rast po akuzohen edhe Muhadin Zuka, pronar i kompanisë “Zuka Comerc”, si dhe Fatlum Pireva e Suad Pireva, bashkëpronarë në kompaninë “El-Bau”, për shkak të veprës penale mashtrimi.

Për veprën penale të mashtrimit po akuzohen edhe persona juridik, përkatësisht kompanitë private “Zuka Comerc” dhe “El-Bau”.

Tutje në seancën e sotme e cila ishte fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku, të akuzuarit i mohuan akuzat dhe u deklaruan të pafajshëm.

Pasi të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë, gjykatësi i rastit Agim Ademi, i njoftoi të njëjtit se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afat prej 30 ditësh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Gjilanit, i pandehuri Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc”, për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin me vlerë të kontratës prej 245,825.89 €.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se në projekt ka qenë paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm, që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07cm.

Tutje sipas Prokurorisë, të pandehurit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të ligjit mbi prokurimin, në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar të bëjnë mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që nga veprimet e tyre i është shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në shumën prej 10,702.23 €.

Po ashtu, të njëjtit sipas aktakuzës akuzohen se kanë lidhur aneks kontratë me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks kontrata është mbështetur në para-masa dhe para-llogari tjetër nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7,881.16 € dhe objektin (urën) në vlerë prej 15,239.39 €, gjithsejtë në shumë prej 23,120.55 €. Sipas Prokurorisë për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, kështu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14,818.98 €.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Sali Kqiku akuzohet në bashkëkryerje edhe me të pandehurit Izet Kurteshi dhe Ganimete Kastrati menaxher të projektit, anëtarët e komisionit Valon Shefkiu, Arsim Ibrahimi e Bashkim Bunjaku, përkundër vërejtjeve të tyre që i kanë paraqitur për punët e filluara dhe të kryera, kanë kërkuar nga zyra e prokurimit udhëzime dhe përgjigje se si të veprohet më tutje, mirëpo të njëjtit kurrfarë përgjigje nuk iu kanë dhënë, dhe anëtarët e komisionit në vendim kanë sqaruar se nuk bartin përgjegjësi për punët e ekzekutuara dhe nuk mund të kryerjen punën e mbikëqyrjes profesionale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, është bërë faturimi i punëve të kryera në shumë prej 231,094.96€, ku është përfshirë edhe shuma e aneks kontratës 20,099.36€, dhe nga kjo konsiderohet se dëmi i shkaktuar komunës së Gjilanit kap vlerën prej 3,496.33 €.

Kompania private “Zuka Comerc” me seli në Gjilan akuzohet se në cilësi të personit juridik ka kryer punët jo profesionale ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten dhe në dëm të komunës është 25,521.21 €.

I akuzuari Muhadin Zuka, akuzohet se si person fizik, përfaqësues i autorizuar i personit juridik “Zuka Comere”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i ka paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ngase nuk ka realizuar rrugën sipas kontratës duke shkaktuar dëm material me qëllim përvetësimi për vete në dëm të komunës së Gjilanit në shumë prej 25,52121€.

Tutje, kompania private ‘El-Bau” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka vënë në lajthim komunën e Gjilanit, duke mos iu përmbajtur kontratës sipas tenderit, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten në dëm të komunës së Gjilanit është në shumë prej 2,662.26€.

Ndërsa të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2,662.26€.