Flamuri i Turqisë, Foto: Pixabay

Tërmet 5.5 shkallësh në Adana të Turqisë

Një tërmet 5.5 shkallë i Rihterit e ka goditur provincën jugore të Turqisë, Adana në mëngjesin e së martës, sipas Qendrës për monitorim të tërmeteve Kandilli.

Qendra ka thënë se tërmeti është regjistruar në orën 8:44 të mëngjesit.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në Kozan, rreth 64 kilometra nga qyteti i Adanas.

Autoritetet nuk kanë raportuar për të plagosur apo shtëpi të dëmtuara.

Tërmeti ndodhi disa muaj pas tërmeteve shkatërruese të shkurtit në këtë shtet dhe në disa pjesë në veri të Sirisë.

Vetëm në Turqi kanë vdekur më shumë se 50.000 persona dhe dhjetëra mijëra ndërtesa janë shkatërruar.

Shumë prej shtëpive të dëmtuara, si pasojë e tërmeteve të shkurtit, nuk janë shembur ende nga autoritetet.

Orhan Tatar, udhëheqës i Departamentit për reduktim të rrezikut në Autoritetin për Menaxhim të Katastrofave, i ka bërë thirrje publikut që të qëndrojë larg ndërtesave të dëmtuara./REL