Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

Shkollat me Tri Ndërrime Ulin Cilësinë e Mësimdhënies

Përderisa në kryeqytet po rritet numri i shkollave që po e implementojnë planin e mësimit tërëditor, në nivel vendi ka ende shkolla ku procesi edukativo-arsimor zhvillohet në tri ndërrime.

Puna në tri ndërrime sipas ekspertit të arsimit, Jonuz Salihaj, paraqet ulje në cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Ndërsa, për drejtorin e një shkolle të tillë është vështirësi shumë e madhe për menaxhim.

Në fillim të këtij viti ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ishte zotuar për cilësi në arsim si dhe ishin inkurajuar gara për cilësi nga shkollat dhe mësimdhënësit.

http://kallxo.com/grante-nga-banka-boterore-per-shkollat-te-mira/

Megjithatë, pjesëmarrja në një garë të tillë duket se e zë në dizavantazh shkollën “Mihal Grameno” të Fushë-Kosovës.

Drejtori i kësaj shkolle, Ismet Gashi, tha për KALLXO.com se përveç uljes së cilësisë së mësimit ai shqetësohet edhe për mundësinë e menaxhimit të një orari të tillë.

“Sivjet punojmë me tri ndërrime dhe sigurisht që do të jetë vështirë e menaxhueshme dhe mund të ulë cilësinë e arsimit për shkak të orëve të shkurtuara dhe numrit të madh të nxënësve. Kemi bërë ankesa dhe kërkesa edhe në Ministri, por ata po e marrin mesataren e komunës dhe nuk po merren me shkollën tonë si rast specifik”, tha Gashi.

Eksperti i fushës së arsimit, Jonuz Saliha,j tha se kushtet e tilla të mësimit konsiderohen të jashtëzakonshme dhe të dëmshme për nxënësit.

“Gjithsesi e dëmton cilësinë e mësimit por edhe nxënien për shkak se nxënësit rrinë më pak në shkollë për shkak se ora është më e shkurtër. Një shkollë që punon në ato kushte konsiderohen kushte të jashtëzakonshme sepse nuk është normale të zhvillohet mësimi në atë mënyrë dhe i dëmton jashtëzakonisht nxënësit”, konstatoi Salihaj.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, thotë se një shkollë e re që është në projekt do ta lirojë nga ‘barra’ e madhe  shkollën “Mihal Grameno”.

“Një shkollë e re fillore është projekt që ende është në shqyrtim. Shpresojmë që do të jetë e gatshme shtatorin e ardhshëm”, tha Topalli.

Po ashtu, eksperti Salihaj vlerëson se shkollat me tri por edhe ato me dy ndërrime do të kenë vështirësi në implementimin e kurrikulës së re.

“Unë çuditem se si Ministria po e piloton kurrikulën e re sepse nuk bëhet fjalë që mund të realizohen pjesë të asaj kurrikule në shkollat që punojnë në dy dhe tre ndërrime”, deklaroi ai për KALLXO.com.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje Ministrisë së Arsimit për të kuptuar numrin e shkollave që procesin mësimor e zhvillojnë në ndërrime dhe për planet e saj për zgjidhjen e problemit, por nuk ka marrë përgjigje.

Përveç orareve të papërshtatshme të mësimit, KALLXO.com ka raportuar për shkolla nëpër Kosovë ku mësimi mbahet në kushte të mjerueshme.

http://kallxo.com/shkolla-ku-nxenesit-frikohen-te-shkojne/

http://kallxo.com/shkolla-kulm-qe-pikon/

http://kallxo.com/shkolla-si-ne-kohen-e-luigj-gurakuqit/