Shaqir Totaj i PDK propozon rritje taksash për bizneset e mëdha

Në një intervistë dhënë për KALLXO.com, kandidati i PDK-së për deputet nga Prizreni, Shaqir Totaj, ka thënë që kauza për të cilën ka vendosur të kandidojë është lufta kundër korrupsionit.

“Kauza e parë më e rëndësishme dhe themelore është sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, nepotizmit. Këto janë dy gjanat themelore me të cilët unë do të merrem nëse do të bëhem deputet”, ka thënë ai.

Tutje Totaj ka thënë që ka synime për post ministror nëse PDK-ja do t’i fitonte zgjedhjet, përderisa ka thënë që nuk do ta ndërronte partinë dhe ‘në parim’ nuk do të votonte kundër qëndrimit të grupit parlamentar.

“Varet prej problemit apo prej çështjes për çka do të votohet, në parim jo, mirëpo konkretisht nëse është ndonjë çështje për të cilën unë mund të kem mendim tjetër, eventualisht mund të ndodhë por në parim jo”, ka thënë tutje ai.

I pyetur nga KALLXO.com se cilat taksa duhet të ulen e cilat të rriten në Kosovë, Totaj ka thënë se taksat duhet të jenë më të mëdha për korporatat më të mëdha.

“Unë kam punuar një kohë të gjatë në Administratë Tatimore, dhe politikën tatimore e njoh shumë mirë prandaj konsideroj që është një sistem tatimor i cili është në aspektin teorik të paktën në rregull por mendoj që super profitet duhet të tatimohen me një taksë pak më të madhe, pra tatimi në të ardhura të korporatave për kompani që realizojnë profite të mëdha, duhet të jetë më i madh”, ka thënë ai.

Totaj nuk ka treguar se cilat do të jenë tri amendamentet e para që do t’i propozojë.

“Këtu nuk mund të ju jap një përgjigje të saktë, për shkak se nuk kam informacion se si do të zhvillohet situata më tutje”, ka thënë ai.

Sipas tij, problemi kryesor i Komunës së Prizrenit është qeverisja e Vetëvendosjes me këtë komunë.

“Problemi i parë i Komunës së Prizrenit është që qeverisja aktuale e Vetëvendosjes, absolut është jashtë konceptit të premtimeve të cilat i ka dhënë gjatë fushatës, dhe problemi i parë është dhe i vetmi që ata të largohen nga pushteti, s’ka probleme të tjera, tjerat rregullohen pastaj”, ka thënë ai.

Kandidati i PDK-së për deputet, Shaqir Totaj, ka thënë që në Kosovë gratë janë të diskriminuara, prandaj edhe gjatë punës së tij si deputet do të përkujdeset për avancimin e gruas.

“Duhet të jemi të qartë se cilat janë ato grupe të diskriminuara, por unë personalisht mendoj se pozita e gruas në shoqërinë kosovare duhet të avancohet më tepër dhe këtu do ta kisha ngritë zërin për avancim të pozitës së femrës për shkak se pozita e gruas në një shoqëri është tregues i zhvillimit të përgjithshëm të asaj shoqërie dhe mendoj se ka hapësirë të madhe për përmirësim”, ka thënë ai.

Totaj është shprehur pro ndërtimit të termocentralit me qymyr, por ka theksuar se do të ndërmarrë iniciativa për mbrojtën e ambientit.

Tutje Shaqir Totaj, kandidat i PDK-së për deputet, ka thënë se është kundër përdorimit të qeseve plastike si dhe kundër përdorimit të qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit.

Totaj është shprehur pro shitjes së Telekomit si dhe pro ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, por sipas tij duhet pasur parasysh kostoja buxhetore.

“Në parim jam për ndërtimin e autostradës, por apleoj që të ketë kujdes të jashtëzakonshëm rreth kostos dhe çmimit për atë autostradë pasi që e dimë se kjo është një pikë shumë e ndjeshme dhe një kujdes i shtuar është më se i domosdoshëm”, tha ai.

Ndonëse është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve, Totaj ka thënë që taksa duhet të pezullohet për t’i hapur rrugën dialogut.

“Ajo duhet të pezullohet në mënyrë që t’i hapë rrugë dialogut dhe nëse dialogu do të prodhojë rezultate atëherë”, ka thënë ai.