Ilustrim, Foto: Kossev/Screenshot

Sa vetura u dogjën në Veri dhe me çfarë targa ishin?

“Tri vetura me targa të Kosovës “RKS” janë djegur në veri”, shkruan media online “Zeri”, duke iu referuar një postimi në Twitter të Blerim Velës, shefit të kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, edhe pse as në atë postim nuk thuhet se çfarë targash kishin veturat.

“Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Herët në mëngjesin e sotëm janë djegur edhe tri vetura të tjera. Strukturat ilegale të Serbisë tani kanë në shënjestër serbët vendas për të cilët ata mendojnë se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës. Çdo autor do të dalë para drejtësisë” – kishte shkruar Vela në Twitter.

Nuk është konfirmuar që Vela dhe Policia e Kosovës i janë referuar rasteve të njëjta.

Ndërkaq, në një prononcim për Graçanica Online, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha se në Veri është vënë zjarri ndaj dy veturave. Sipas tij, të njëjtat ishin me targa të Serbisë.

Ai tregoi se të dy veturat me targa të Serbisë ishin djegur në Komunën e Leposaviqit.

“Zjarri është vënë rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe makinat janë dëmtuar lehtë”. Policia e Kosovës ka bërë hetim dhe veturat janë me targa serbe” – ka thënë Elshani për Graçanica Online.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, mohoi pretendimet e medias online “Zeri” për djegien e veturave me targa “RKS” në Veri.

“Veturat janë djegur në Leshak afër Leposaviqit, por nuk kanë targa “RKS” – ka deklaruar Krasniqi.