Marshin protestues nda Qeverisë së Serbisë. FOTO: Screenshot TV N1 Beograd.

Blerim Vela: Policët u rrëmbyen sepse Vuçiq po tenton ta largojë vëmendjen

Shefi i kabinetit të Presidentes Vjosa Omsani, Blerim Vela, ka komentuar protestat në Serbi që po mbahen kundër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Pavarësisht përpjekjes së kotë të Vuçiqit për t’i etiketuar ato si marrëveshje të fshehtë me Kosovën dhe Kroacinë, protestat javore në Beograd panë pjesëmarrje të madhe” – ka shkruar Vela në Twitter.

“Këtë javë, ai iu drejtua nxitjes së retorikës nacionaliste pas rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës, duke u përpjekur të largonte vëmendjen” – ka shkruar tutje Vela.

Policia e Kosovës më 14 qershor ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitarë patrullues kidnapuar nga autoritetet serbe.

KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se mbetet e paqartë vendnodhja se ku gjendeshin policët e Kosovës kur, sipas KFOR ishin arrestuar.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dyshojnë që zyrtarët e Policisë së Kosovës janë rrëmbyer si  hakmarrje e Serbisë për arrestimin e Millun Millenkoviq – Lune.

Millun Millenkoviq i njohur si Llune u arrestua të martën (13.06.2023) nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicën e Veriut.

Tre policëve të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë e mori vendimin pas kërkesës së prokurorit publik të këtij qyteti në jug të Serbisë.

Tash për tash nuk është e qartë kohëzgjatja e paraburgimit.

Lirimin pa kushte të policëve të Kosovës e kanë kërkuar edhe SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Gjermania.