Reshjet e shiut, MPB: Situata është nën kontroll

Pas situatës me reshjet e shiut në kryeqytet dhe vërshimeve në disa zona, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka deklruar se situata është nën kontroll.

MPB-ja në një komunikatë për media njoftoi se zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, zëvendësuesi i drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Abdullahun dhe Kryeinspektori për Menaxhimin e Emergjencave, Kastriot Lajqi, kanë dalë në terren për ta parë nga afër gjendjen dhe punën e zjarrfikësve.

“Më këtë rast zëvendësministri Dobra ka konstatuar se të gjitha njësitet e zjarrfikësve janë mobilizuar plotësisht për të menaxhuar situatën dhe për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që janë prekur nga kjo situate”- thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit për media, zëvendësministri Dobra, përveç disa zonave të tjera ka vizituar lagjen “Veternik” dhe fshatin Dobratin të Komunës së Graçanicës.

“Dobra ka falënderuar zjarrëfikësit pasi sipas tij, falë tyre situata është nën kotrollë dhe të gjitha pengesat janë mënjanuar” – njoftoi MPB-ja.

KALLXO.com ka parë nga afër situatën me vërshimet në lagjen “Veternik” të Prishtinës.

Si pasojë e reshjeve të shiut mëngjesin e së hënës (20.05.2024), në Prishtinë janë bllokuar disa rrugë dhe janë shakktuar dëme materiale.

Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka thënë se po punojnë për sanuar gjendjen.

“Pas shiut të rrëmbyeshëm të mëgjesit të hershëm, në disa zona të kryeqyteit janë shkaktuar dëme materiale, të cilat ekipet e zjarrëfikësve dhe Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim jan duke i sanuar”- thuhet në njoftim

Ndërkaq, Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka deklaruar për KALLXO.com se vlera e reshjeve ka qenë më e lartë se zakonisht.

Megjithatë sipas Kastratit, lumenjtë kryesorë të vendit janë në gjendje normale dhe nuk ka rrezik për dalje nga shtrati.

“Lumenjtë kryesorë të Kosovës janë krejtësisht në kuota normale, nuk kemi ngritje apo dalje prej shtretërve të lumenjve”- ka deklaruar zyrtari i IHMK-së.

Ai  tutje thotë se në bazë të të dhënave që ka deri më tani IHMK-ja, edhe ditëve në vijim pritet të ketë reshje të shiut në Prishtinë, por jo me përmasa të mëdha.

“Natyrisht që do të ketë edhe ditëve në vijim reshje, por nuk e besojmë se do të ketë me përmasa të tilla që të përfshijnë një territor më të madh, por reshje do të ketë natyrisht”- ka shtuar Kastrati.

Parashikimi i motit për pesë ditë