Tubimi publik i kryetarit me qytetarët Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Hamza premton nga 10 mijë euro për familjet që u përballen me rrëshqitje të dheut në 'Bair' të Mitrovicës më 2023

Një familje në lagjen “Bair” të Mitrovicës është përballur me problemin e rrëshqitjes së dheut në këtë lagje dhe si pasojë shtëpia e tyre ka pësuar dëme të konsiderueshme.

E gjithë kjo thuhet se ka ardhur si pasojë e vërshimeve  të cilat ndodhën në janar të vitit 2023.

“Ne jemi ajo familja për rrëshqitje të dheut, siç e dini. Na janë premtu ndarja e 10 mijë eurove. 2 mijë e 500 na keni nda, faleminderit prej juve. Mirëpo shuma tjetër e premtuar kur do të realizohet?”- ka thënë njëri nga qytetarët në një tubim publik me kryetarin e komunës.

Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza (PDK) ka thënë se janë 16 familje në këtë zonë që janë përballur me këtë problem.

“2 mijë 500 euro ua kam ekzekutuar. Realiasht jeni shumë të dëmtuar. Juve përveç shtëpisë ia ka dëmtu edhe trualli dhe ju s’keni mujt me banu. 16 familje janë. Disa shkresa që ia kam drejtu nivelit qëndror dhe nuk kemi përgjigje. Shumë shpejt secila prej familjeve që na i kemi evidentu do të jeni të kompensum me nga 10 mij♪ euro, besoj para shtatorit. E di që 10 mijë euro në raport me dëmin nuk janë të mjaftueshme”- potencoi Hamza.

Dje më 13.06.2024 u mbajt tubimi i parë publik i Kryetarit të Komunës për vitin 2024.

Ky takim u mbajt me fillim nga ora 14:00 në Sallën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës Jugore.

Në këtë  tubim u tregua raport mbi punën e ekzekutivit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, si dhe u thanë propozime, sugjerime, komente dhe pyetje nga qytetarët.

Ndryshe, rrëshqitja e dheut në Bair të Mitrovicës bëri që të ketë shtëpi të shkatrruara dhe rrugë të çara.

KALLXO.com kishte raportuar më 19.01.2023 për situatën në të cilën ndodhej Komuna e Mitrovicës  për shkak të vërshimeve.

Pas reshjeve të shiut, uji në lumin Ibër pjesërisht kishte dalë nga shtrati.