Kërkohet shkarkimi i Kryeshefes së Inspektoratit Policor

Deputetët e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës kërkuan shkarkimin e Kryeshefes së Inspektoratit Policor, Miradije Kelmendi.

Në mbledhjen e këtij komisioni  u diskutua për rekomandimet e raportit për Inspektoratin Policor dhe u miratua rekomandimi për shkarkim të Kryeshefes së IPK-së.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri tha se që nga fillimi ka hasur në dyshime sa i përket shkarkimit të ish-kryeshefit të IPK-së, Hilmi Mehmetit dhe ardhjen e Kryeshefes së re Miradije Kelmendi.

“Që në fillim kam shfaq dilemat e mia, është nisur me Kryeshefin Hilmi Mehmeti i cili ka nisur me një konkurs por që më vonë ka dalë që është i pafajshëm. Janë zhvilluar disa procedura dhe tani kemi një kryeshef të ri. Ne kërkojmë që edhe ndaj kryeshefes aktuale të merren masa edhe pse edhe kjo është zgjedhur me konkurs”, tha Ismet Beqiri.

Deputeti i LVV-së, Rexhep Selimi shtoi se komisioni mund të kërkojë ta shkarkoj Kryeshefen e IPK-së.

“Ne proceduralisht nuk mund ta kthejmë ish kryeshefin më punë por ne si komision mund të kërkojmë që të shkarkohet kryeshefja”, tha Selimi.

Deputetja e PSD-së, Aida Dërguti tha se komisioni po kalon kompetencat e tij.

“Është tejkalim i kompetencave tona sepse Kryeshefja është zgjedh me konkurs”, tha Derguti.

Edhe deputeti Xhelal Sveçla, iu përgjigj Dergutit sa i përket kompetencave të komisionit.

“Unë kam qenë edhe në grup punues dhe kemi gjetur shumë shkelje. Nëse nuk kemi drejtë me gjetë rekomandime atëherë pse ne kemi inicuar një hetim të tillë”, tha Svecla.

Ish-kryeshefi i IPK-së Hilmi Mehmeti ishte shkarkuar nga detyra nga ana e Ministrit të atëhershm Bejtush Gashi në lidhje me një konkurs që ishte në IPK.
Pas shkarkimit të Mehmetit, në vend të tij erdhi Miradie Kelmendi.

https://kallxo.com/miradije-kelmedin-kryeinspektorja-e-policise-se-kosoves/