Hiqen Tarracat e Lokaleve, Pronarët Ankohen për Vendime Selektive

Dy lokaleve të vendosura në lagjen Ulpiana i janë hequr tarracat me arsyetimin se ato kanë ‘degraduar hapësirën gjelbëruese’.

Largimi i tendave dhe tarracat në lokalet e quajtura ‘78’sh’ dhe ‘Beg Caffe’ është bërë nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës në bazë të një vendimi të lëshuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Pronari i kafiterisë ’78’sh’ [ish- ‘Black Caffe’] në lagjen Ulpiana e pranon që momentalisht nuk ka leje shfrytëzimi të hapësirës për tendë, mirëpo sipas tij pa leje janë duke vepruar edhe shumica e lokaleve në  atë pjesë.

KALLXO.com ka siguruar vendimin e MMPH-së i cili urdhëron Komunën e Prishtinës për largimin e tarracave.

“Nuk është e drejtë, për arsye se është shumë selektiv, derisa bizneset tjera para dy ose tri javëve, të cilat edhe ato nuk kanë leje përkatëse për sezonën dimërore, e bëjnë vendosjen e tendave, të xhamave edhe atë në prani  apo në distancë 20 deri 30 metra prej lokalit tonë, ndërsa neve na hekin ato ekzistuese që i kemi prej katër vitesh.. kjo është shumë selektive”, tha ai.

Hadi Nura, pronar i kafiterisë ‘Beg Caffe’, megjithëse nuk deshti të flasë para kamerës, po ashtu  konsideron se veprimet e  Drejtorisë së Inspektoratit të Prishtinës janë të  pa drejta dhe selektive.

Inspektorët komunalë në vend ngjarje po ashtu nuk deshën të prononcohen duke thënë se gazetarëve u përgjigjet vetëm zyra për media.

Miranda Mullafazliu, Zyrtare për Informim në Komunën e Prishtinës për KALLXO.com tha se komuna vetëm ka zbatuar vendimin e MMPH-së dhe do të veprojë njëjtë për lokalet e tjera me një vendim përkatës.

“Këto lokale për një kohë kanë shfrytëzuar hapësirën publike me pëlqimin e lëshuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike. Në ndërkohë, një kohë më parë, në bazë të ankesës të banorëve të asaj pjese, Ministria e Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë një vendim me të cilën ka detyruar Drejtorinë e Inspekcionit që të intervenojë dhe të largojë këto terrasa”, tha Fazliu

Ajo nuk elaboruar në përgjigjen lidhur me akuzat e pronarëve për vendime selektive.

Komuna e Prishtinës /Drejtoria e Inspekcionit do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi dhe obligimeve që dalin nga vendimet e Ministrisë përkatëse edhe në raste të tjera”, tha ajo.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ në muajin prill të këtij viti kishte transmetuar hulumtimin mbi ankesat e banorëve në lagjen Ulpiana lidhur me  stabilitetin e ndërtesës ku gjenden lokalet në fjalë pas dëmtimeve që i janë bërë në procesin e shndërrimit të një lokali banesor në atë afarist.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

https://www.youtube.com/watch?v=FyF_5jX4vFk