Urdhri i Prokurorit Çudit Pronarët e Lokaleve

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, inspektorët e ndërtimit janë vënë në lëvizje vetëm pasi për disa ndërtime ilegale në qendër të qytetit të Gjilanit është interesuar prokurori i krimeve të rënda Agron Uka.

Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Gjilanit ka nxjerrë vendim për rrënimin e katër tendave të vendosura nga pronarët dhe shfrytëzuesit e katër lokaleve tek ish “Shtëpia e Mallrave” pas një shkrese që ua ka dërguar prokurori Agron Uka.

Vendimin për t`i rrënuar këto terasa-tenda po e kundërshtojnë pronarët e lokaleve. Një nga pronaret, Burbuqe Veseli, thotë se komuna nuk ka të drejtë t`i rrënojë pasi që terasat janë të vendosura në pronë private.

Sipas saj, vendimi i komunës është i shtyrë nga prokurori i shtetit Agron Uka.

Artan Osmani dhe Milot Mustafa, tregojnë ditën kur inspektorët komunalë u erdhën te lokalet dhe ua dorëzuan vendimet për rrënimin e terrasave-tendave. Të dy deklarojnë se komuna nxori vendimin për rrënim vetëm pasi këtë e ka kërkuar prokurori.

Drejtori i Urbanizmit, Valon  Shefkiu, ka deklaruar shkresa e prokurorit ishte diçka e pazakontë për ta. Madje, sipas tij, nuk është punë e prokurorit të japë urdhra për rrënimin e objekteve pa leje.

Por prokurori Agron Uka ka një përgjigje për veprimin e tij.

“Prokurori  i shtetit i departamentit për krime të rënda ka kërkuar përgjegjësi tek institucionet kompetente që të argumentojnë se këta shfrytëzues të këtyre hapësirave a janë të pajisur me dokumente-leje, duke kërkuar përgjegjësi deri në fund nga ata që nuk i zbatojnë dispozitat ligjore”, tha ai.

Emisionin e plotë “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: