Arkiv - Gjykimi i Kolë Pukës | Foto: KALLXO.com

Gjykata hedh aktakuzën për krim të organizuar dhe korrupsion ndaj ish gjyqtarit Kolë Puka

Gjykata e Prishtinës ka aprovuar si të bazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve Kolë Puka, Zef Marleku, Lon Palushaj, Isa Salihi, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikqi.

Kjo Gjykatë ka marrë vendim që të pushohet procedura penale ndaj ish gjyqtarit të Klinës Kolë Puka dhe pesë të akuzuarve tjerë, për vepra penale që lidhen me korrupsion dhe krim të organizuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj të akuzuarve kishte ngritur aktakuzë për veprat penale krim i organizuar, nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, keqpërdorim i pozitës apo autorizimit zyrtar, mashtrimi.

Gjykata pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve të mbrojtjes, kishte gjetur se kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave ishin të bazuara.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se pas marrjes parasysh të udhëzimeve të dhëna nga ana e Apelit që t’i jepet mundësia prokurorisë që të sqarojë mënyrën e parashtrimit të aktakuzës siç kërkohet me dispozita ligjore, ka vendosur që të aprovoj kërkesat e mbrojtësve për hudhjen e saj.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se aktakuza nuk është përpiluar në përputhje me dispozitat e nenit 241 par.1 nën par 1.4 të KPPRK-së, e po ashtu nuk është përcaktuar kohëzgjatja e pjesëmarrjes aktive të grupit kriminal siç parashihet në nenin 274 par.7 nën par.2 të KPK-së.

Tutje sqarohet se ndërtimi i aktakuzës në këtë formë ku secila vepër penale bazë është cilësuar së bashku me veprën penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal nuk është në përputhje me nenin 241 par.1 nën par.1.5 të KPPRK-së.

Prokuroria e akuzonte ish-gjyqtarin Kolë Puka, Zef Marlekun, Fatbardh Makollin, Isa Salihin, Lon Palushajn dhe  Besnik Nikçin, si pjesëmarrës të grupit kriminal të strukturuar.

Sipas aktakuzës ky grup objekt sulmi kanë pasur kompanitë e sigurimeve që kanë qenë duke vepruar në Republikën e Kosovës.

Përkatësisht prokuroria pretendon se  këtë grup e ka krijuar Kolë Puka, i cili krijoi marrëveshje me anëtarët e këtij grupi që të imagjinojnë raste gjyqësore, të nxjerrin vendime gjyqësore të kundërligjshme, të falsifikojnë dokumente e të tjera. I njëjti sipas aktakuzës ka lidhur marrëveshje për përfitim të kundërligjshëm me avokat të cilët janë të parët në zingjirin e aktivitetit kriminal pas Kolë Pukës, si: Zef Marleku, dhe Lon Palushaj.

Sipas aktakuzës Zef Marleku i kishte dhënë dhe autorizim Kolë Pukës të këtë qasje në xhirollogarinë e tij bankare, përmes së cilës ka operuar me vlera të mëdha në mënyrë të kundërligjshme. Pastaj ka lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e Kompanive të Sigurimeve – Isa Salihaj, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikçi, në mënyrë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të pajtohen me propozimet – vendimet e Kolë Pukës.

Më tutje krijon marrëdhënie me mjekët specialist, kryesisht të ortopedisë- si tani të ndjerin Bedri Bakalli.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky aktivitet kriminal ka zgjatur prej vitit 2004 e gjerë në vitin 2008 e përmes tij kanë përfituar dhe i kanë ndarë mes vete në mënyrë të kundërligjshme vlerën prej 1,225,927.93 euro

 

Sërish shtyhet seanca ndaj ish-gjyqtarit të akuzuar për krim të organizuar