Kompania “EL-FA” kërkon vendosjen e masës së sigurisë ndaj kompanisë “Trepça” (VIDEO)

Në seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së sigurisë në çështjen juridike për zgjidhjen e kontestit në mes të kompanisë “EL-FA” dhe kompanisë “Trepça”, që ka të bëjë me kompensimin e dëmeve nga ndërprerja e njëanshme e kontratës së qirasë, palët kanë paraqitur pretendimet e tyre për aprovimin apo jo të masës së sigurisë.

Përfaqësuesi i kompanisë “EL-FA”, Fatbardh Makolli pas plotësimit dhe precizimit të kërkesës për caktimin e masës së sigurisë, ka deklaruar se mbetet në tersi pranë padisë dhe kërkesës për caktimin e masës së sigurisë.

Avokati Fatbardh Makolli ka deklaruar se e kundërshtojnë në tërësi përgjigjen e kundërpropozuesve, pasi që sipas tij, kundërpropozuesit/të paditurit, me asnjë provë, në asnjë rrethanë dhe me asnjë bazë ligjore nuk kanë arritur që ta arsyetojnë kundërshtimin e kësaj mase.

“Në tërësi mbetëm si në padi në veçanti si në propozimin për caktimin e masës së sigurimit…e njoftoj Gjykatën gjithashtu se e kam pranuar edhe përgjigjen e kundërpropozuesit ndaj propozimit për caktimin e masës së sigurimit, për të cilën deklarohem se i kundërshtoj në tërësi parashtrimet e dhëna në këtë parashtresë/përgjigje nga fakti se me parashtrimin dhe arsyet e dhëna në asnjë situatë dhe me asnjë provë nuk ka arritur që të arsyetoj, arsyet e kundërshtimit dhe bazat ligjore për kundërshtimin e caktimit të masës së sigurimit”, tha avokati Makolli.

Sipas avokatit Makolli, kompanisë “EL-FA” i është ndaluar qasja në hapësirën e kompanisë “Trepça”, e në pamundësi që paditësi të shkoj dhe t’i mirëmbaj këto pajisje, të njëjtat tanimë gjenden të mbytura në ujë dhe në gjendje të mjerueshme.

“Është një fakt i dëshmuar me prova të cilët paditësit/propozuesit e masës i është ndaluar qasja në hapësirën apo objektin e të paditurës/kundërpropizuesit dhe atë nga ana e kryeshefit ekzekutiv Hysen Vrajolli dhe se ato pajisje janë në gjendje të mjeruar, të mbytura në ujë pa asnjë mbikëqyrje apo kontroll profesionale dhe se paditësi nuk ka të drejtë të shkoj dhe të ketë qasje në hapësirë tek këto pajisje, t’i mbikëqyr deri në mbylljen e këtij kontesti”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i kompanisë “EL-FA”.

 

Duke u bazuar në këtë fakt, avokati Makolli kërkoi caktim me urgjencë të masës së sigurisë si masë e parandalimit të shkaktimit të dëmit të mëtejmë të pajisjeve.

“Në këtë drejtim shqiptimi i masës së propozuar është shumë i rëndësishmen dhe me urgjencë në drejtim të pengimit të shkaktimit të dëmit të konsideruar material përkatësisht të pengimit të dëmtimit të asaj makinerie me vlerë milionëshe pa e llogaritur fitimin e humbur të paditësit si biznes i suksesshëm në atë veprimtari. Kërkoj nga Gjykata që propozimin për caktimin e masës së sigurisë ta aprovojë si të bazuar”, tha Makolli.

Sa i përket pretendimeve të kopanisë “EL-FA”, përfaqësuesi i kompanisë “Trepça”, Fuad Haliti deklaroi se nuk ka asnjë bazë ligjore për aprovimin e masës së sigurisë, andaj një kërkesë të tillë të paditësve e kundërshtoi në tërësi e të pabazuar.

Përfaqësuesi i kompanisë “Trepça”, ka deklaruar se paditësi nuk mund të kërkoj ndalimin e ekzekutimit të njoftimit mbi ndërprerjen e kontratës për faktin se një kontratë e tillë tashmë ka skaduar.

“Propozuesi i masës së sigurimit të përkohshëm ka kërkuar që të ndalohet ekzekutimi i njoftimit për ndërprerjen e kontratës nr.3444 i datës 14.09.20, mirëpo kjo kontratë përveç që është ndërprerë nga ana e Trepçës në muajin shtator, e njëjta sipas aneks kontratës së qerasë nr.1731 e datës 04.05.20 ka skaduar me datë: 31.12.20, dhe nuk mund të kërkohet ndalimi i ekzekutimit të njoftimit të ndërprerjes së kontratës sepse kjo kontratë tashmë ka pushuar edhe sipas afatit të paraparë me kontratë”, tha përfaqësuesi i kompanisë “Trepça”.

Tutje përfaqësuesi i kompanisë “Trepça”, deklaroi se sipas tij propozuesit e masës së sigurisë nuk e kanë bërë të besueshme faktin se në rast të moscaktimit të masës së sigurisë, të paditurit do të mund ta tjetërsonin, fshehin apo të ndikojnë që pajisjet në fjalë të pësojnë dëme.

“…Propozuesi i propozimit të masës së përkohshme nuk e ka bërë të besueshme ekzistimin e kërkesës së propozimit dhe nuk ka kurrfarë besimi se mund të tjetërsohet, të fshehtë apo ngarkohet apo në ndonjë mënyrë tjetër të ndryshohet gjendja ekzistuese dhe të ndikohet negativisht në të drejtat e propozuesit të propozimit”, tha Haliti.

Sipas kompanisë “Trepça”, kompanisë “EL-FA”, i ishte dhënë afat 15 ditor për tërheqjen e makinerisë e pasi që kompania nuk e ka bërë largimin e pajisjeve, ky afat i është vazhduar edhe për një muaj por që edhe pas një muaji kompania “EL-FA”, nuk e ka bërë largimin e pajisjeve.

Duke u bazuar mbi këtë gjë, përfaqësuesi i kompanisë “Trepça” i ka kërkuar Gjykatës që ta refuzoj kërkesën e kompanisë “EL-FA”, për caktimin e masës së sigurisë lidhur me njoftimin për ndërprerjen e njëanshme të kontratës së qerasë.

“Propozuesit me njoftimin për ndërprerjen e kontratës i është dhënë afati prej 15 ditëve të bëjë tërheqjen e makinerisë ndërsa i njëjti brenda këtij afati nuk e ka bërë lirimin e objektit, të njëjtit afati i është vazhduar edhe një muaj mirëpo i njëjti edhe pas këtij afati nuk ka filluar lirimin e objektit në fjalë, andaj duke i pasur parasysh të gjitha këto dhe argumentet e tjera të paraqitura në përgjigjen me shkrim kërkojmë nga Gjykata që propozimi për caktimi e masës së sigurimit nga Trepçës të refuzohet si i pabazuar”, ka deklaruar përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Trepça”.

Padia ka të bëjë me kompensimin e dëmeve nga ndërprerja e njëanshme e kontratës së qirasë dhe propozimin për shqiptimin e masës së sigurisë.

Paditësi me të paditurin që nga viti 2009 kanë qenë në raport juridik. Përkatësisht, paditësi si qiramarrës e ka pasur me qira hapësirën e të paditurit. Ky raport është vazhduar me kontrata të reja apo aneks kontrata pa kurrfarë ankese dhe duke i respektuar në tërësi kushtet e kontratës.

Tutje në padi thuhet se që nga lidhja e kontratës së qirasë e deri në ditën e ndërprerjes “së njëanshme dhe të pabazuar”, paditësi në cilësinë e qiramarrësit në tërësi u është përmbajtur kushteve të kontratës, duke i kryer të gjitha obligimet kontraktuese e në veçanti duke e paguar qiranë brenda afateve kohore, duke mos e dëmtuar pronën e qiradhënësit dhe duke përmbushur në përpikëri kushtet e parapara në kontratë.

Në padi thuhet se kjo rrethanë si çështje faktike ka rezultuar me vazhdimin e kontratës me qira nëpërmjet aneks-kontratave në mënyrë të vazhdueshme dhe pa kurrfarë hezitimi dhe pa asnjë vërejtje.

Mirëpo më 14 shtator 2020, sipas padisë, pa kurrfarë paralajmërimi dhe pa kurrfarë baze apo shkasi dhe vetëm paditësit e jo dhe qiramarrësve të tjerë, paditësit i erdhi njoftimi për ndërprerjen arbitrare të kontratës dhe me obligimin që ta lirojë objektin në afat prej 15 ditësh.

Paditësi shpjegon në padi se që nga fillimi i qirasë, më 26 janar 2016, të njëjtën hapësirë e ka marrë me qira për arsye të ushtrimit të veprimtarisë së prodhimit të peletit dhe për këtë arsye në këtë objekt e ka vendosur makinerinë për prodhimin e peletit. Sipas padisë, vetëm vendosja e makinerisë, sistemimi  dhe lëshimi në funksion ka qenë i mundur nga 5 ekspertë sllovakë në mbikëqyrje të një inxhinieri gjerman.

Gjithnjë sipas padisë, për çmontimin kësaj makinerie nevojiten së paku dy ekspertë-inxhinierë të huaj, mëditja për të cilët kushton 500 euro, pastaj edhe shpenzimet e udhëtimit e akomodimit të punëtorëve ndihmës, e që janë 3-4 punëtorë. Ky çmontim merr kohë afërsisht 2 deri në 3 muaj.

Po ashtu, këto pajisje janë makineri shumë të mëdha dhe montimi dhe demontimi i tyre mund të bëhet vetëm me ndihmën e kranave të mëdhenj dhe me mbikëqyrje e kujdes të shtuar.

Tutje në padi thuhet se këto pajisje janë të lidhura me rrjetin e rrymës që konsumon rrymë në sasi të madhe pasi në të janë të instaluara 60-65 motorë elektrikë të lidhura me tabelën komanduese ku gjatësia e kabllos së rrymës e lidhur me rrjetin furnizues është në distancë prej 3,000-3,500 metra, ashtu që kërkesa e të paditurit që brenda 15 ditësh të lirohet hapësira është absurde dhe tendencioze me pasoja për pajisjet.

Duke u gjendur në një situatë të tillë, paditësi i është drejtuar të paditurit me kërkesë për sqarim për këtë veprim.

Në padi thuhet se gjatë takimeve me zyrtarët e të paditurit, në veçanti me drejtorin e administratës, Besim Haxhiu, i njëjti ka konfirmuar se do të shkëputet kontrata e qirasë.

Ky rast është hulumtuar nga KALLXO.com dhe është shfaqur në emisionin e datës 27 nëntor 2020, të emërtuar “Shantazhet ndaj prodhuesit vendor”.