Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori i Përgjithshëm gjen mangësi në procedimin e pagesave në ShSKUK

11 raste të pagesave në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës gjatë vitit 2022 nuk janë proceduar sipas renditjes së duhur që e parasheh Rregulla Financiare për Shpenzimin e Parasë Publike.

Neni 22 thotë se fillimisht duhet të procedohet zotimi i mjeteve, të lëshohet urdhër-blerja, dhe pas pranimit të mallit bëhet raporti i pranimit, si dhe pranohet fatura.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se në 11 raste në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh, zotimi i mjeteve ishte bërë pas nënshkrimit të kontratave dhe urdhër blerjet ishin bërë pas pranimit të faturave.

Dobësitë në procedimin e pagesave, sipas auditorit kanë ndodhur si rezultat i kontrolleve të dobëta në procesin e realizimit të blerjeve.

“Mosaplikimi i procedurave të duhura të kontrollit gjatë procesit të pagesave, mund të ndikojë që SHSKUK mos t’i kryejë obligimet e faturuara me kohë, dhe rrjedhimisht në rritjen e obligimeve të papaguara, të cilat do të jenë barrë për buxhetin pasues” – thuhet në këtë raport.

Rekomandimi i ZKA-së është që Bordi Drejtues dhe Drejtori i Përgjithshëm duhet të forcojnë kontrollet e brendshme dhe të kërkojnë zbatimin e procedurave nga zyrtarët përgjegjës, duke filluar nga inicimi i shpenzimeve deri në kryerjen përfundimtare të pagesave.

Sipas raportit, me këtë gjetje është pajtuar edhe menaxhmenti i SHSKUK-së.