Aktakuzë ndaj 19 personave lidhur kontrabandë me mallra nga Maqedonia në Kosovë

Prokuroria Speciale përmes një komunikate për media ka njoftuar se sot ka ngritur aktakuzë ndaj grupit të 19 personave, nën dyshimet se të njëjtit duke vepruar si grup kriminal kanë kryer veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal, shmangies nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore si dhe shmangies nga tatimi.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, si grup i organizuar dhe strukturuar kriminal, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, në vazhdimësi kanë kontrabanduar mallra, nga Republika e Maqedonisë, përmes rrugëve malore, në vende të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit gjatë transportimit të mallrave, kanë përdorur vetura të ndryshme si mjete përcjellëse për sigurimin e rrugëve që shfrytëzonin gjatë kontrabandimit, ku në këtë mënyrë e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës, përkatësisht Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës, në shumë rreth 350,000.00 (treqindepesëdhjetë mijë) euro.

11 tw akuzuarit e parë XH.I., F.I., Z.M., N.S., B.S., H.S., A.B., M.B., I.J., U.J dhe J.J., Prokuroria i akuzon se kanë kryer veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal lidhur me veprat penale të shmangies nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar.

Të akuzuarit tjerë D.B., A.I., H.A., G.Z., R.B., A.D., dhe J.M., Prokuroria u vë në barrë veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal lidhur me veprat penale të shmangies nga pagesat e tarifave të detyrueshme doganore tregtia e ndaluar.

Sipas Prokurorisë të akuzuarit J.M., A.D., G.Z., D.B., A.A., H.A., dhe R.B., si subjekte të ndryshme ekonomike, kanë kryer edhe veprat penale shmangia nga tatimi me qëllim të shmangies së pagesës së tatimit dhe të ardhurave nga qarkullimi i tij, pasi që nuk i kanë përfshirë të gjitha informatat lidhur me të ardhurat e tij.