Foto: KALLXO.com

Aktakuza: U rrahën pasi i pandehuri i tha se po voziste shpejtë motoçikletën afër shtëpisë së tij

Gjykata e Gjilanit ka shpallur aktgjykimin në rastin e të pandehurit Sh.R., i akuzuar për veprat penale – shkaktim i lëndimit të lehtë dhe dëmtim i pasurisë.

Në seancën e sotme, i pandehuri e pranoi fajësinë për veprat që i viheshin në barrë, gjë që u pranua nga gjyqtarja Luljetë Shabani.

Pastaj, Gjykata e shpalli aktgjykimin, duke e dënuar të pandehurin me dënim unik prej 6 muaj burgim me kusht.

Gjyqtarja Shabani deklaroi së dënimi me burgim bëhet i ekzekutueshëm në rast të përsëritjes së veprës penale nga i pandehuri.

Gjithashtu, në caktimin e dënimit është marrë parasysh bashkëpunimi dhe pranimi i fajësisë nga i pandehuri.

Prokuroria e Gjilanit e akuzon të pandehurin se më 6.10.2016 në fshatin Malishevë të Gjilanit u ka shkaktuar lëndime të lehta të dëmtuarve D.Sh. dhe një personi tjetër të mitur.

Prokuroria e akuzon edhe të dëmtuarin D.Sh. për veprën penale të shkaktimit të lëndimit të lehtë ndaj të pandehurit, por për të njëjtin është veçuar procedura.

Sipas Prokurorisë kur ka ndodhur ngjarja i dëmtuari i mitur ishte duke vozitur motoçikletën e të dëmtuarit D.Sh. në afërsi të shtëpisë së të pandehurit dhe i pandehuri ka dalë për t’ia tërhequr vërejtjen se po e voziste motoçikletën në shpejtësi të madhe.

Në këto rrethana Prokuroria në aktakuzë e përshkruan se ka filluar mosmarrëveshja dhe rrahja në mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, të cilët i shkaktojnë lëndime të lehta njëri-tjetrit.

Ndërsa i pandehuri pastaj në shenjë revolte, me shkop druri e ka dëmtuar motoçikletën, duke e kryer veprën penale të dëmtimit të pasurisë.

Prokuror i rastit ishte Ismet Ukshini.