Njëra nga qendrat tregtare | Foto: BIRN

Tregtia Vazhdon të Mbajë ‘Stafetën’ e Ekonomisë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve në Kosovë” dhe sipas publikimit numri më i madh i ndërmarrjeve në Kosovë i takon tregtisë.

“Sipas rezultateve të dala në këtë publikim rezulton se sipas sektorëve ekonomikë numri më i madh i ndërmarrjeve i takon tregtisë me 16,557 ndërmarrje ose 47.7%”, thuhet në publikimin e ASK-së.

ASK-ja në publikim tregon edhe çfarë aktivitetesh zhvillojnë ndërmarrjet tjera.

“Shërbimet biznesore dhe shërbimet e tjera me 4,708 ndërmarrje ose 13.6%; industria përpunuese (prodhimi) 4 674 ndërmarrje ose 13.5%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 3 621 ndërmarrje ose 10.4%; ndërtimtaria me 2 628 ndërmarrje ose 7.6%; transporti dhe magazinimi 1 291 ndërmarrje ose 3.7%; informacioni dhe komunikimi me 849 ndërmarrje ose 2.4%; industria nxjerrëse dhe furnizim me ujë, kanalizim, menaxhim mbeturinash dhe aktivitete revitalizimi të tokës me nga 162 ndërmarrje ose 0.5%; si dhe furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 44 ndërmarrje ose 0.1%.” thuhet në komunikatën e ASK-së

Sipas komunikatës, del se sektori i tregtisë jo vetëm se prin në Kosovë, por numëron edhe më shumë të punësuar

“Ndërsa, sa i përket punësimit për sektorët ekonomikë që ishin pjesë e hulumtimit, del që numri total i të punësuarve arrin shifrën 156 504, prej të cilëve: sektori i tregtisë përbën rreth 54 609 të punësuar ose 34.9%”, vijon komunikata.

ASK-ja tregon edhe si është shpërndarë punësimi në ndërmarrjet tjera.

“Industria përpunuese (prodhimi) 24,457 të punësuar ose 15.6%; shërbimet biznesore 18,398 të punësuar ose 11.8%; ndërtimtaria me 16,687 të punësuar ose 10.7%; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 11,895 të punësuar ose 7.6%; informacioni dhe komunikimi 8,714 të punësuar ose 5.6%; furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar 7,770 të punësuar ose 5.0%; si dhe sektorët e tjerë kanë më pak se 5% të punësuar”, thuhet më tutje në njoftimin

Tregtia gjithashtu është sektori që ka pasur më shumë qarkullim

“Karakteristikë tjetër, që vlen të përmendet, është edhe qarkullimi i realizuar nga ndërmarrjet ku dominojnë: tregtia me një pjesëmarrje prej 57.5%; industria përpunuese (prodhimi) 11.9%; ndërtimtaria me 10.5%; kurse sektorët e tjerë të veprimtarive ekonomike rezultojnë me një përqindje më të vogël të qarkullimit”, sqaron publikimi.

Sipas komunikatës, treguesi i pagës mesatare mujore sillet rreth 359 euro në aktivitetet e përfshira në anketë.

Bazuar në anketën e ASK-së, numri i ndërmarrjeve në Kosovë në vitin 2016 ishte 34 mijë e 696 me apo 1 mijë e 200 ndërmarrje më tepër në krahasim me vitin 2015.

Që nga viti 2013 kur është regjistruar numri më i vogël i ndërmarrjeve aktive (29,057), numri i ndërmarrjeve ka qenë në rritje.

Më shumë ndërmarrje aktive kishte në vitin 2009- 42 mijë e 86 ndërmarrje.