Nga kjo javë të gjitha automjetet e reja në BE duhet të kenë sisteme të avancuara për ta rritur sigurinë rrugore

Nga kjo javë të gjitha llojet e reja të automjeteve që hyjnë në tregun e BE-së duhet të kenë një sërë sistemesh të avancuara për ta rritur sigurinë rrugore dhe pas dy vitesh kjo do të zbatohet për të gjitha automjetet e reja në BE.

Rregullorja për sigurinë e përgjithshme të automjeteve, e cila u miratua në nëntor të vitit 2019, ka filluar të zbatohet nga 6 korriku i këtij viti. Fillimisht, ajo zbatohet për llojet e reja të automjeteve që plasohen në tregun e BE-së, dhe nga 6 korriku i vitit 2024, ajo do të aplikohet për të gjitha automjetet e reja. Kjo do të thotë se prodhuesit kanë dy vjet për t’i përshtatur llojet ekzistuese të automjeteve me rregullat e reja.

Rregullorja prezanton një sërë karakteristikash të detyrueshme të sigurisë që do të kontribuojnë në uljen e numrit të viktimave në trafikun rrugor, duke qenë se studimet tregojnë se gabimi njerëzor luan një rol në 95 për qind të aksidenteve.

Pritet që falë tyre, më shumë se 25,000 jetë mund të shpëtohen dhe të paktën 140,000 lëndime serioze mund të shmangen deri në vitin 2038.

Komisioni ka njoftuar se do t’i miratojë rregullat teknike për homologimin e automjeteve plotësisht autonome këtë verë, duke e bërë BE-në lider në këtë fushë, gjë që është edhe një detyrim i përcaktuar nga Rregullorja për Sigurinë e Përgjithshme të Automjeteve.

Nga sot, të gjitha llojet e reja të makinave, furgonëve, kamionëve dhe autobusëve do të duhet të kenë një sistem ndihmës inteligjent të kontrollit të shpejtësisë, një sistem zbulimi mbrapa me një kamerë ose sensorë, një sistem paralajmërimi në rast të mungesës së vëmendjes së shoferit, pajisje për regjistrimin e të dhënave dhe një sinjal për ndalesë emergjente.

Makinat dhe furgonat duhet të kenë veçori shtesë si sistemet e mbajtjes së korsisë dhe frenimi i automatizuar;

Autobusët dhe kamionët duhet të kenë teknologji për t’i identifikuar më mirë pikat e verbëra të mundshme, paralajmërime për t’i parandaluar përplasjet me këmbësorët ose çiklistët dhe sistemet e monitorimit të presionit të gomave.

Bazuar në Rregulloren e Përgjithshme të Sigurisë, Komisioni duhet të miratojë rregulla teknike për automjetet e automatizuara dhe të lidhura në rrjet këtë verë, me një fokus të veçantë në automjetet e automatizuara që zëvendësojnë shoferët në autostrada (automatizimi i nivelit 3) dhe automjetet plotësisht autonome si automjetet e transportit të pasagjerëve ose robotaksi (automatizimi i nivelit të 4-të).

Rregullat e reja do ta harmonizojnë legjislacionin e BE-së me rregullat e reja të nivelit të OKB-së për automatizimin e nivelit 3 dhe do ta prezantojnë legjislacionin e ri teknik të BE-së për automjetet autonome, rregullat e para ndërkombëtare të llojit të tyre.

“Sistemet e kontrollit të navigimit, sistemet e mbajtjes së korsisë dhe frenimi i automatizuar po i bëjnë automjetet tona gjithnjë e më të automatizuara. Me hyrjen në fuqi sot të legjislacionit të ri për sigurinë e automjeteve, ne kemi siguruar që, falë kësaj teknologjie, do të përmirësohet jeta e përditshme e qytetarëve tanë, si dhe një kuadër i parashikueshëm dhe i sigurt që do t’i mundësojë industrisë së automobilave të vazhdojë të prezantojë zgjidhjet teknologjike inovative dhe ta ruajë konkurrencën e saj globale” ka deklaruar komisioneri për tregun e brendshëm Thierry Breton./Dnevnik.hr