Në platformën e Netflix po vijnë shumë lojëra të reja

Disa vite më parë, Netflix vendosi ta zgjerojë biznesin e tij për të përfshirë edhe videolojëra. Përveç prezantimit tashmë të lojërave, ata paralajmëruan edhe hapjen e një studio lojërash, duke e bërë të qartë se ambiciet e tyre në këtë treg janë afatgjata dhe serioze. Deri më tani, ata kanë prezantuar 55 tituj në platformën e tyre, duke përfshirë disa të bazuar në seriale të njohura, të tillë si Stranger Things, por më e mira për të gjithë adhuruesit e lojërave video nuk ka ardhur ende.

Sipas Leanne Loombe nga divizioni i videolojërave të Netflix, aktualisht studiot e tyre partnere në mbarë botën po zhvillojnë deri në 70 lojëra, ndërsa divizioni i lojërave të Netflix aktualisht po punon për 16 tituj të tjerë. Këto janë lojëra të zhanreve të ndryshme – nga RPG te enigmat, aventurat dhe titujt indie.

Synimi ynë është të zhvillojmë një portofol të gjerë lojërash, të zhanreve dhe formateve të ndryshme, sepse besojmë se të gjithë mund ta gjejnë lumturinë në lojëra, nëse zbulojnë një ose më shumë prej tyre që i përshtaten, ka deklaruar Loombe.

Tutje Loombe thotë se lojërat e bazuara në përmbajtjen origjinale të Netflix janë veçanërisht të njohura. Kujtojmë se një nga lojërat e para të tilla ishte Stranger Things, e cila u modelua sipas serialit jashtëzakonisht të njohur dhe një nga hitet më të mëdha të Netflix. Ajo që është veçanërisht interesante për ne, domethënë loja që Loombe e vuri theksin në veçanti, është Too Hot to Handle: Love is a Game, e cila bazohet në serinë Too Hot to Handle. Loja u lansua paralelisht me sezonin e katërt të serialit dhe është një nga lojërat më të njohura të kësaj kompanie.

Ajo lojë u realizua në bashkëpunim me Nanobit dhe Loombe njoftoi se po e përgatisin vazhdimin e saj për këtë vit, për të cilin po punojnë edhe me Nanobit.

Deri në fund të këtij viti, gjithsej të paktën 40 lojëra duhet të shfaqen në Netflix, dhe ne mund të presim tituj të rinj çdo muaj, dhe një lojë tjetër që duhet përmendur është Ubisoft’s Mighty Quest: Rogue Palace, të cilën e presim në mes të prillit. /Cnet

Përgatiti: Nuhi Shala