netflix logo on abstract geometry background

Lojëra të reja po vijnë në Netflix, duke përfshirë Squid Game

Abonenuesit e Netflix së fundmi patën qasje në trilogjinë Grand Theft Auto dhe së shpejti do të jenë në gjendje të luajnë edhe me Squid Game.

Dihet që planet e Netflix nuk kanë të bëjnë më vetëm me filma dhe seriale, dhe kompania dëshiron ta marrë një pjesë të tregut edhe në videolojëra. Disa lojëra celulare janë tashmë të disponueshme për abonentët e këtij shërbimi, ata kanë nënshkruar një bashkëpunim me Rockstar në lidhje me ardhjen e Grand Theft Auto në shërbimin e tyre, si dhe kanë studiot e tyre për zhvillimin e lojërave, gjë që tregon qartë se ambiciet afatgjata janë mjaft të mëdha. Deri më tani, ata kanë marrë tashmë katër studio lojrash, dhe kanë filluar dy të tyret – një në Helsinki dhe tjetra në Kaliforni.

Siç ka komentuar shefi i departamentit të lojërave të kompanisë, Mike Verdu, në një intervistë të fundit, Netflix aktualisht po zhvillon më shumë se dhjetë tituj të rinj në studiot e tij, ndërsa deri në fund të vitit ata duan që 86 video lojëra të jenë në dispozicion për të shijuar abonentët. 

Netflix, ndër të tjera, dëshiron t’i tërheqë përdoruesit duke zhvilluar lojëra bazuar në seritë e tyre të njohura dhe një nga serialet që tërhoqi më shumë vëmendje vitin e kaluar ishte Squid Game. Lajm i mirë për të gjithë fansat e këtij seriali, përveç faktit që Netflix është duke përgatitur një sezon të dytë, është se kompania po zhvillon një videolojë të bazuar në këtë serial. Për momentin, nuk ka shumë detaje rreth vetë lojës, kështu që nuk e dimë se kur do të jetë e disponueshme, por ajo që mund të presim është që ajo të bazohet në sfidat e njohura me të cilat u përballën garuesit në sezonin e parë të serialit. Gjithashtu, nuk dihet se në cilën studio është duke u zhvilluar Squid Game.

Deri më tani, Netflix nuk ka komentuar shumë për numrin e përdoruesve të lojërave të tyre, dhe sipas disa të dhënave të mëparshme jozyrtare, ky numër ende nuk është i madh, domethënë duket se përdoruesit ende e lidhin Netflix-in kryesisht me përmbajtje video. Megjithatë, duket se edhe kjo mund të ndryshojë. Një nga arsyet është rritja e katalogut të lojërave, duke përfshirë tituj të tillë si GTA Trilogy – Definitive Edition, një paketë lojërash e përbërë nga tre tituj legjendar – GTA 3, Vice City dhe San Andreas./Tech Times

Përgatiti: Nuhi Shala