Glowing Twitter logo on a realistic 3D circle

Certifikata e kaltër dhe përfitime të tjera në Twitter, Elon Musk njofton për një abonim mujor prej 8 dollarësh

Elon Musk ka njoftuar të martën se Twitter do ta nisë një abonim mujor prej 8 dollarësh (rreth 8 euro), duke u blerë përdoruesve certifikatën e kaltër dhe ekspozimin ndaj më pak reklamave.

Rrjeti social tashmë ofron një abonim për veçoritë me pagesë, por pronari i ri Musk dëshiron të nisë një shërbim më të shtrenjtë për të rritur të ardhurat e platformës.

“Sistemi aktual, me ata që kanë certifikatën e kaltër dhe ata që nuk e kanë, është marrëzi” – tha shefi i Tesla-s dhe themeluesi i Space X.

“Fuqia për njerëzit! Certifikata e kaltër për 8 dollarë në muaj”.

Oferta e Musk bashkon Twitter Blue – një abonim tashmë prej 5 dollarësh në muaj (5 euro) për një mënyrë më komode leximi – me aftësinë që llogaritë e pranueshme ta verifikojnë dhe vërtetojnë identitetin e tyre me shenjën e kaltër.

Aktualisht, vetëm disa profile mund të kërkojnë një autenticitet të tillë, duke përfshirë qeveritë, kompanitë, mediat dhe personalitete politike, kulturore ose sportive.

Distinktivët mund të revokohen nëse nuk i respektojnë rregullat e platformës.

Reagimet nga përdoruesit e Twitter ishin të përziera. Disa e vlerësuan këtë vendim duke thënë se sistemi aktual ishte “i padrejtë” dhe duhej ndryshuar, ndërsa të tjerë vunë në dyshim nëse verifikimi do të funksiononte.

Musk, i cili e bleu Twitter-in të enjten, u kërkoi inxhinierëve që të punonin pa u lodhur në riparimin e sistemit.

Ai tha se abonentët do të kenë përfitime të tjera: tweet-et e tyre do të shfaqen në prioritet, ata do të jenë në gjendje të postojnë video më të gjata dhe audio mesazhe  dhe do të shfaqen “gjysma e shumë reklamave”.

Çmimi i abonimit do të rregullohet sipas valutës së çdo vendi.

“Do të sjellë gjithashtu të ardhura në Twitter për t’i shpërblyer krijuesit e përmbajtjes” – tha Musk.

Njeriu më i pasur në botë ka përsëritur që nga fillimi i ofertës r blerjen e rrjetit socail se ai do ta trondisë Twitter-in, duke thënë se dëshiron “ta ndihmojë njerëzimin”.

Shqetësimet janë rritur pas komenteve të kaluara të Musk se ai do të lejojë që përdoruesit e bllokuar të kthehen në platformë, si ish-presidenti i SHBAs, Donald Trump. Asnjë vendim për këtë nuk është bërë publik.

Musk tregoi në të kaluarën se përfitimi nuk ishte prioriteti i tij.

Por Twitter – të ardhurat e të cilit vijnë 90 për qind nga reklamat – është shumë më pak fitimprurës në krahasim me fqinjët e tij të Silicon Valley, Meta (kompania ombrellë për Facebook dhe Instagram) dhe Google (që zotëron YouTube)./Euronews