Trajneri i Trepçës kërkon përkrahje nga tifozët për ndeshjen ndaj Bashkimit

Një nga klubet më me traditë në basketbollin e Kosovës është Trepça.

Mitrovicasit gjithmonë kanë luftuar për trofe, edhe pse në vitet e fundit janë përballur me shumë vështirësi, më saktësisht me ato financiare, e këtë gjë e ka konfirmuar edhe trajneri i kësaj skuadre Ilir Selmani.

Trajneri i skuadrës, Ilir Selmani, ka folur për vështirësitë që është duke u përballur skuadra e Trepçës.

Ai ka treguar se përgatitjet i kanë filluar me vonesë, për arsye të problemeve financiare.

Po ashtu, Selmani ka bërë të ditur se kanë mungesë të fondit të lojtarëve.

“Përgatitjet i kemi filluar me vonesë, për shkak se, siç dihet këto vitet e fundit jemi duke u përballur me kushte të rënda financiare dhe kjo është arsyeja pse Trepça ndodhet në këtë gjendje aktualisht. Është e vështirë që të punohet profesionalisht, sepse për dy-tri javë nuk mundesh të përgatitësh skuadrën për një kampionat. Aktualisht kemi tre lojtarë të huaj në ekip dhe fatmirësisht i kemi mbajtur lojtarët vendorë përveç Samirit (Zekiqit) dhe jemi një numër i vogël i lojtarëve në rotacion, por në mesin e tyre janë edhe 3-4 lojtarë të rinj që vijnë nga grupmosha junior, që mua si trajner më gëzon ky fakt” ka thënë Selmani për faqen zyrtare të FBK-së.

Selmani, gjithashtu ka treguar synimet i klubit mitrovicas.

“Sa i përket synimeve me vet faktin se në çfarë gjendje jemi aktualisht, ne do të mundohemi të japim maksimumin e të bëjmë lojëra të mira, edhe pse do të kemi shumë vështirë, sepse të gjitha skuadrat kanë angazhuar nga 5-6 basketbollistë të huaj. Në këtë gjendje që jemi, na duhet përkrahja maksimale nga qytetarët e Mitrovicës dhe nga tifozët tanë ‘Torcida’ që ta tejkalojmë këtë gjendje, duke shpresuar në ditë më të mira për sportin mitrovicas, përkatësisht basketbollin, andaj i ftoj të gjithë të vijnë të na përkrahin”, shtoi tutje Selmani.

Trepça në xhiron e parë ka pushuar, derisa të mërkurën do të përballet me Bashkimin.