Munishi pas fitores ndaj Drenicës: Jam jashtëzakonisht i kënaqur, rezultati ishte më i thellë se sa që është pritur 

Ballkani ka fituar me rezultat të thellë 5-0, ndaj Drenicës në kuadër të xhiros së pestë në Superligë.

Pas ndeshjes ka folur trajneri i suharekasve Ismet Munishi, ka deklaruar se është i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij ndaj Drenicës.

“Ndeshje shumë e mirë dhe me të thënë të drejtën lojtarët që nga minuta e parë iu drejtuan lojës me seriozitet të madh, duhet të theksohet se kemi shumë kualitet brenda skuadrës, kemi lojtarë shumë të mirë dhe sot luajtën mirë, jam jashtëzakonisht i kënaqur, rezultati ishte më i thellë se sa që është pritur ose e kemi merituar, por ky është futbolli”, tha fillimisht Munishi për “Art Sport”.

Munishi ka thënë se është duke ndodhur një “fenomen”, në futbollin e Ballkanit, që pasi të jetë rezultati 3-0, tenton të shënoj gol secili lojtar.

“Kur është rezultati 3-0, pastaj lojtarët kanë qejf me shënu secili dhe kjo ndodhë në trevat ballkanike, pasi kemi asi mentaliteti, duhet të luajmë futboll 90 minuta dhe të kemi kujdes, sepse nuk guxon të ndodhe të na bie loja ashtu, por është më shumë tek vetëkenaqesia, jo diçka tjetër”, përfundoi Munishi.