Ish-futbollisti mitrovicas: Dushin pas stërvitjeve e bënim në lumin Sitnica

Të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë janë pezulluar që nga 13 marsi si masë parandaluese ndaj përhapjes së coronavirusit.

Sportistë e trajnerë në këtë kohë janë të detyruar që të qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, duke e pasur të lejuar që të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë për t’i kryer shërbimet e domosdoshme (blerje e ushqimeve, ilaçeve apo edhe kryerjen e shërbimeve bankare e të pagesave).

Ish-futbollisti i njohur nga Mitrovica, Emin Baliqi, në një intervistë për KALLXO.com, ka rrëfyer detaje nga karriera e tij prej futbollisti.

Baliqi ka treguar se sportin e ka të trashëguar nga familja e tij, pasi babanë e ka pasur trajner të hendbollit dhe arsimtar të edukatës fizike.

“Unë rrjedh prej familjes së sportistëve, babai Ahmeti, trajner i hendbollit te Trepça, njëkohësisht arsimtar i edukatës fizike, daja Jeton Kumnova ish-futbollist i KF Trepçës. Babai është ai që na ka drejtuar kah sporti, unë si më i vogli e vazhdova rrugën e futbollit, edhe pse dy vëllezërit më të mëdhenj Fisniku dhe Besniku, kanë qenë më të talentuar se unë”, tregon Baliqi për KALLXO.com.

Ish-mesfushori mitrovicas ka zbuluar se ku kishte filluar t’i tregonte aftësitë e tij për futboll dhe kush kishte qenë trajner i  tij i parë.

“Oborri i shkollës “Muharrem Bekteshi” është vendi ku kam filluar të tregoj që kam aftësi për këtë sport. Mirëpo ushtrimet e para i kam filluar te trajneri Ajet Shosholli, te shkolla e futbollit që zgjati për 3 muaj, para luftës dhe u ndërpren, sepse ai shkoj si trajner në klubin Shkëndia të Tetovës. Pastaj ishte Asllan Vitaku, kryetari i KF Minatorit 89, së bashku me themeluesin e klubit Raif Hajra, që hapen shkollën e futbollit. Ne si gjeneratë vazhduam rrugën e futbollit nën drejtimin e trajnerit Rafet Prekazi, pas tij ka ardh trajneri Vehbi Ibrahimi”, zbulon ish-futbollisti, i cili mbrojti edhe ngjyrat e Prishtinës.

Si fëmijë në moshën 12-13 vjeçare thotë se “dushin” pas stërvitjeve e bënin në lumin Sitnica.

“Ka qenë e vështirë, ushtrimet i bënim në fshatin Shupkofc, 5 kilometra larg shtëpisë. Me t’u kthyer gjatë verës shumicën e rasteve pas stërvitjes dushin e kryenim në lumin Sitnica duke bërë që udhëtimi për në shtëpi të zgjasë me orë të tëra”, vazhdon rrëfimin ish-lojtari edhe i Drenicës.

Një sekret të padëgjuar deri më tani Emin Baliqi e zbulon për KALLXO.com, se si ishte alivanosur pas 5 kilometrave rrugë në këmbë.

“Një e pathënë deri me tash është kur kishim lojë në fshatin Smrekonicë. Atje zhvilloheshin lojërat e ekipeve të parë. Ishte e diel, kishim finalen me KF Trepça, pasi në gjysmëfinale e mposhtëm KF Bashkimin nga Shipoli. Zakonisht udhëtonim me kombin e klubit, mirëpo atë ditë u ngatërruam, ishte shi i madh, pasi mbaroi loja dolëm ta prisnim autobusin për në shtëpi. Pasi na kishte ikur autobusi, unë, Seid Onbashi, Shpëtim Fetahu dhe i ndjeri Erxham Abdurahmani u nisëm në këmbë me shpresa që gjatë rrugës ta takojmë autobusin. Mbërritëm në shtëpi në këmbë. Në momentin që kam mbërritur në shtëpi, sapo e kam hapur derën, isha alivanosur nga lodhja dhe pa ushqim”, zbulon Emin Baliqi për KALLXO.com.

Ish-futbollisti i Elbasanit ka zbuluar se cilët kishin qenë momentet më të mira të tij si futbollist.

“Trofetë janë momentet më të mira. Trofeu i parë me KF Trepçën pas 18 viteve, me Trepçën ’89 kupa e parë në histori të klubit, njëkohësisht edhe me Prishtinën Kupa e Kosovës pas 10 viteve dhe inkuadrimi në Supërligë me KF Trepçën. Pastaj golat në minutën e 95’ me Ferizajn që i ikëm barazhit në vitin 2009 me KF Trepçën, goli kundër Besës së Pejës në minutën e 93’ qe na dërgoi në finale të Kupës edhe goli me Ferizajn në minutën 93 si lider në Ligën e Parë me Trepçën”, tregon trajneri i Trepçës U-13.

Pos momenteve të mira, Baliqi i kujton edhe momentet e këqija të tij sa ka qenë futbollist aktiv.

Mitrovicasin e kishin trishtuar vdekjet e ish-futbollistëve Erxham Abdurahmani dhe Fisnik Muharremi.

“Momentet më të vështira është humbja e njerëzve së pari, Erxham Abdurahmani bashkëlojtar nga fëmijëria dhe Fisnik Muharremi, po ashtu bashkëlojtar te Trepça ’89. Kurse në aspektin sportiv humbja e Kupës në vitin 2003 me Prishtinën, titulli për një pikë dhe titulli i humbur me Trepçën ’89, pasi barazuam me KF Vllaznimin”, i kujton momentet më të këqija Baliqi.

Emin Baliqi ka treguar se çfarë i ka mbetur peng gjatë karrierës së tij si futbollist.

Ai ka zbuluar se i ka mbetur merak që të luante për Dritën ose Gjilanin dhe Vëllaznimin e Gjakovës.

“Gjërat që më kanë mbetur peng sa kam qenë futbollist ka qenë që të luaj për njërin nga klubit e qytetit të Gjilanit dhe në Vëllaznim për shkak të tifozëve, peng tjetër që më ka mbet është të dalë jashtë Kosovë, në arenën ndërkombëtare, mirëpo në përgjithësi jam i lumtur me arritjet e mia personale si futbollist”, bën të ditur Emin Baliqi.

Emin Baliqi ka debutuar si mbrojtës i majtë, por pastaj ka avancuar si mesfushor qendror, pas një kohë ka luajtur edhe mesfushor ofensiv duke e përfunduar karrierën si qendërsulmues.

Pozita ideale e mitrovicasit mbetet mesfusha, i cili është shquar për asistimet e tij maestrale.

Baliqi ka luajtur për skuadra si KF Trepça, KF Trepça ’89, FC Prishtina, KF Drenica, KF Besëlidhja Lezhë dhe KF Elbasani.

36 vjeçari i ka fituar shtatë tituj në total gjatë karrierës së tij.