Flamurtari kërkon që të testohen të gjithë klubet për COVID-19

Diagnostikimi i lojtarit të Dritës, Izair Eminit, me coronavirus ka alarmuar skuadrat kosovare të Superligës së Kosovës në futboll.

Klubi i Flamurtarit, ka bërë thirrje që të testohen të gjithë anëtarët e klubeve të futbollit.

Skuadra nga Prishtina kërkon që mos të vazhdohet kampionati pa u testuar të gjithë futbollistët dhe anëtarët e 12 klubeve në Superligë.

“Pas lajmit se një futbollist i Dritës ka dal pozitiv me COVID-19, jemi të detyruar që autoriteteve të futbollit dhe institucioneve shtetërore, të ju drejtohemi me kërkesë që të gjithë anëtarët në klube të futbollit të testohen për COVID-19 pasi që është marrë vendimi për vazhdimin e kampionatit. Ata që e kanë marrë këtë vendim le ta bëjnë edhe hapin tjetër, atë të testimit të futbollistëve dhe stafit të klubeve, sepse ekziston një rrezik permanent. Nëse vendimmarrësit janë udhëhequr me faktin se futbolli ka vazhduar në Gjermani, atëherë le të na bëjnë të ndihemi si gjermanë duke I bërë testimet për COVID-19. Futbollistët nuk janë njerëz të rendit të dytë e futbolli nuk është vetëm lojë si e konsideroni ju, por është punë e rëndë fizike e psikike. Kërkojmë që pa testime të mos vazhdohet kampionati, sepse rreziku është permanent”,  thuhet në komunikatën e Flamurtarit.

Klubet e Superligës kanë nisur stërvitjet gjatë kësaj jave për tu përgatitur për rifillimin e sezonit.