Ilustrim

Drejtori i klubit holandez jep dorëheqje, akuzohet për ngacmim seksual

Drejtori sportiv i klubit holandez Ajax, Marc Overmars ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit sportiv.

Dorëheqja e tij vjen si pasojë e një skandali seksual që ka përfshirë edhe atë.

48 vjeçari ka pranuar se ka ngacmuar kolegët në klub dhe për këtë arsye ka dhënë dorëheqje.

“Më vjen turp, papritmas ndjeva një presion të madh, kërkoj falje, sigurisht për dikë në pozicionin tim, kjo sjellje është e papranueshme, nuk shoh asnjë mundësi tjetër përveç largimit nga Ajaxi”, ka thënë 48 vjeçari.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga vetë klubi holandez përmes një postimi në Twitter.

“Drejtori i Çështjeve të Futbollit Marc Overmars do të largohet nga Ajax me efekt të menjëhershëm. Ai e mori këtë vendim pas diskutimeve të ditëve të fundit me Bordin Mbikëqyrës dhe CEO Edwin Van der Sar dhe ua komunikoi synimet e tij”, thuhet në komunikatën e klubit të Ajaxit.