Challandes: Ne jemi Kosova, nuk e lusim askënd të na bashkohet

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka folur për situatën e sulmuesit Andi Zeqiri që iu bashkua Zvicrës, duke e refuzuar Kombëtaren e Kosovës.

Challandes ka thënë se nuk është i kënaqur që Andi Zeqiri iu ka bashkuar Zvicrës.

“Andi pikërisht e ka shikuar këtë aspekt. Nuk jam i kënaqur aspak që ai është te Zvicra sepse Andi është një lojtar i së ardhmes për ne. Ende asgjë nuk ka përfunduar, por mbetet të shihet. Është vendimi i Andit në fund. Mirëpo, kemi rastin e Albian Ajetit që zgjodhi Zvicrën, por tani nuk është në listë për Evropian. Ky është vendim i tij, tani për tani”, ka thënë Challandes.

69 vjeçari ka thënë se nuk e kanë ndërmend që ta lusin askënd që t’i bashkohet Kosovës.

“Jo vetëm për rastin e Andit, por edhe lojtarët tjerë që janë në të njëjtën pozitë. Ne si federatë dhe unë si trajner duhet t’i tregojmë atyre se i duam këto dhe të tregojmë interesin tonë. Por, ata duhet të vendosin pastaj por për të luajtur për Kosovën, ata duhet të ndjenjë krenari dhe nder. Ne nuk i kemi ndërmend t’i lusim ata dhe t’u biem në gjunjë pasi ne jemi Kosova dhe kemi ekipin tonë. Ndoshta nuk jemi ekipi më i mirë në Evropë por jemi krenar. Kështu që, edhe lojtarët duhet të ndihen krenar dhe jo pasi të mbesin pa opsion, ta zgjedhim pastaj Kosovën”, ka deklaruar Challandes.

Kosova do të luajë ndaj San Marinos më 1 qershor, kurse më 4 qershor ndaj Maltës.

Për dy ndeshjet e ardhshme, atë me Guinenë dhe Gambinë, lista e Kosovës do të publikohet të hënën.