Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri duke festuar me shqiponjë pas golave Foto:Laurent Gillieron/EPA

Shaqiri: Nuk festoj nëse shënoj ndaj Kosovës

Xherdan Shaqiri pritet të jetë titullar për Kombëtaren e Zvicrës në ndeshjen e nesërme që Zvicra do ta zhvillojë kundër Kosovës në ndeshjen e dytë miqësore të këtij muaji.

Lidhur me këtë ndeshje në një intervistë për Sportin në KTV, Shaqiri është shprehur që nëse shënon ai nuk do të festojë.

“Unë kam respekt për Kosovën dhe Shqipërinë. Sporti është sport dhe si në çdo ndeshje edhe ndaj Kosovës do të jap 100% nga vetja. Po të kem rast duhet të shënoj, por sigurisht se nuk do të festoja nëse do të shënoja gol, sepse kam shumë respekt për Kosovën. Është ndeshje miqësore dhe me rëndësi është të luaj në këtë ndeshje historike”, ka thënë Shaqiri.

Ai është shprehur se Kombëtarja e Shqipërisë dhe e Kosovës janë dy kombëtare që dita ditës po rriten vazhdimisht.

“Kur kam kohë i përcjell gjithmonë si Shqipërinë ashtu edhe Kosovën. Por nganjëherë kemi edhe ne ndeshje dhe nuk arrij dot. Por, si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë ekipe të mira. Janë përmirësuar dhe çdo vit po bëhen më të mira. Sidomos Kosova këto vitet e fundit ka bërë një hap të mirë dhe shpresoj të përmirësohet edhe më shumë dhe të luajë ndaj ekipeve më të mëdha dhe të mësojë nga gabimet”, është shprehur Shaqiri.

Për Shaqirin goli më i rëndësishëm në karrierën e tij është goli në Kampionatin Evropian kundër Serbisë.

“Kam pasur shumë momente të mira në karrierën time. Jo vetëm me tituj, por edhe me përvoja dhe stërvitjet me trajnerë të mëdhenj në botë. Por goli ndaj Serbisë është special në jetën time, pasi ka qenë një ndeshje me shumë emocione dhe siç e dimë ne historinë, mund të them se ka qenë shumë special goli i shënuar ndaj Serbisë. Është moment i madh në karrierën time”, thotë Shaqiri.

Kosova dhe Zvicra do të përballen ditën e nesërme duke filluar nga ora 18:00 në një ndeshje që do të jetë përballja e parë midis këtyre dy kombëtareve. Pos Shaqirit në këtë ndeshje pritet të jenë prezentë edhe dy futbollistët tjerë shqiptar, Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri.