Bernard Berisha i mërzitur për mosftesën nga Challandes

Sulmuesi anësor i Kosovës, Bernard Berisha përmes një video në Facebook ka thënë se është i mërzitur që nuk është ftuar nga Bernard Challandes për ndeshjet e tetorit.

Kosova do të luajë ndaj Maqedonisë së Veriut më 8 tetor në Shkup në gjysmëfinale të play-off-it për kualifikimin në Kampionatin Europës.

Kurse në kuadër të Ligës së Kombeve më 11 tetor Kosova luan ndaj Sllovenisë, e më 14 tetor ndaj Greqisë.

Bernard Berisha ka thënë se e pranon vendimin e trajnerit.

“Duke marrë parasysh se këto ditë është folur shumë për çështjen time pata dëshirë që të jap mendimin tim për këtë çështje dhe të sqarohet gjithçka. Unë dhe familja ime jemi të mërzitur shumë për mosftesën nga kombëtarja e Kosovës, po ashtu dua të them se e pranoj vendimin e trajnerit”, ka thënë Berisha.

Bernardi i ka bërë thirrje të gjithëve që ta mbështesin Kosovën, pasi vetëm të bashkuar arrihen sukseset.

“Duke e marrë parasysh se kemi një ndeshje shumë të rëndësishme, atë ndaj Maqedonisë është një histori për shtetin e Kosovës prandaj ju bëj thirrje të gjithëve që ta mbështesim Kosovën sepse djemtë që janë aty kanë nevojë për mbështetjen tuaj dhe vetëm të bashkuar mendoj se mund t’ia dalim. Ju lutem të jemi të bashkuar dhe vetëm të bashkuar mund t’ia dalim. Forca Kosova”, ka thënë Berisha.

Në ndeshjen e 6 shtatorit ndaj Greqisë kishte ndodhur një incident ndërmjet Berishës dhe Challandes. Berisha menjëherë pas shënimit të golit ndaj Greqisë është kthyer nga selktori Challandes duke bërë veprime josportive ndaj tij.