Bernard Berisha i dëshpëruar që nuk u ftua nga Kosova

Sulmuesi anësor, Bernard Berisha nuk u ftua nga Bernard Challandes për miqësoret e qershorit.

29 vjeçari është duke kaluar një sezon të mirë në Rusi te skuadra e Akhmat Groznyt duke i shënuar nëntë gola dhe tri asistime nga 31 ndeshje në të gjitha garat.

Berisha është shprehur i dëshpëruar që nuk është ftuar nga Kosova, duke akuzuar se nuk ka profesionalizëm në kombëtare.

“Selektori ka vendosur që unë të mos ftohem për këto dy ndeshje miqësore. Realisht selektori ka të drejtë sepse janë miqësore dhe duhen të provohen lojtarë të rinj. Por ajo që nuk më pëlqeu dhe që është joprofesionale, është se mua realisht nuk më ka kontaktuar askush për mosftesën, duke parë që kam bërë një sezon shumë të suksesshëm”, ka shkruar Berisha në “facebook”.

Ai ka thënë së është i zhgënjyer nga Bernard Challandes.

“Mendoj se selektori të tregohet të paktën i sinqertë dhe të na kontaktoi, sepse bisedën e fundit që e kemi pasur në Shqipëri, trajneri më dha shumë shpresë dhe në fund prap u zhgënjeva. Unë i dëshiroj Kosovës shumë suksese”, ka deklaruar Bernard Berisha.

Kosova do të luajë ndaj San Marinos dhe Maltës, miqësore këto që do të luhen me lojtarët më të mirë të që ka në dispozicion Bernard Challandes.