Gjykimi i Vlladimir Kovaqeviq

Sot pritet të shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarit për ryshfet

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka përfunduar në tërësi procedura e gjykimit kundër të  akuzuarit Vlladimir Kovaqeviq.

Kovaqeviq, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë se duke punuar si zyrtar në Qendrën për Punë Sociale në Prilluzhë ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

I akuzuari ishte dakorduar më të dëmtuarin, në atë mënyrë që i dëmtuari Gazmend Zeqiri, do t’ia paguante shumën prej 100 eurove, për  të realizuar të drejtën e tij të asistencës sociale duke i thënë të dëmtuarit se duhet të ri-aplikojë, edhe pse me vendimin të gjykatës ka të drejtë në asistencë sociale, duke shtuar se fare nuk do të dërgonte komision për verifikim në shtëpinë e tij, nëse do të paguante këtë shumë.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari me këtë ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu, pasi i dëmtuari i kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 100 eurosh, me rastin e pranimit i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale marrje e ryshfetit, thuhet në aktakuzë.

Paraprakisht në  fillim të  mbajtjes së seancës palët janë deklaruar lidhur me disa dokumente të  cilat në seancat parapake ishin siguruar nga Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Lidhur me këto dokumente i dëmtuari, në këtë rast Gazmend Zeqiri, e njëkohësisht dëshmitar i rastit, ka thënë se kishte vërejtje për disa nga dokumentet pasi që  sipas tij, disa nga këto dokumente mungonin, kurse në disa dokumente tjera ishte falsifikuar nënshkrimit i të njëjtit.

Ai gjithashtu ka informuar gjykatën se me datë 16 të  këtij muaji rreth orës 23:00 kishte ndodhur një  sulm, në  shtëpinë  e tij, ku ishte hedhur një mjet shpërthyes. Sipas tij më vonë  kishte pranuar edhe një  mesazh kërcënues me këtë përmbajtje: “Ka me t`i myt krejt familjen edhe krejt qka ki nëse nuk tërhiqesh”. Këtë rast janë duke e trajtuar krimet e rënda në Mitrovicë ka shtuar ai.

I dëmtuari u udhëzua nga gjyqtari Avni Mehmeti që për çdo shqetësim lidhur me sigurinë e tij dhe familjes se tij të kërkoj masa nga policia dhe prokuroria.

Më  pas seanca ka vazhduar me marrjen në  pyetje të  të  pandehurit.

Fillimisht i pandehuri u pyet nga mbrojtësi i tij, avokati Faruk Korenica, prokurori i rastit Ismet Ujkani dhe në fund nga dëshmitari Gazmend Zeqiri.

Pas pyetjes së  bërë nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, i pandehuri Vlladimir Kovaqeviq ka pohuar se e ka njohur të dëmtuarin Gazmend Zeqiri, dhe nga ai kishte pranuar një  shumë  të  parave prej 100 euro, por këto i kishte marr nga Gazmendi që me pas të njëjtat t’ia dërgoj Mitar Kostiq, personit të cilit edhe ia kishte pasur borxh ato para Gazmend Zeqiri.

Por, i pandehuri ka mohuar të këtë marrur para në ndonjë formë tjetër qoftë të ryshfetit apo të ngjashme nga i dëmtuari Gazmend Zeqiri.

Në  këtë seancë gjithashtu pas marrjes në pyetje të të pandehurit dhe pas administrimit të  provave është dhënë edhe fjala përfundimtare lidhur me këtë rast.

Prokurori Ismet Ujkani me rastin e fjalës se tij përfundimtare ka thënë se nga provat e administruara, konkretisht nga deklarata e të dëmtuarit- dëshmitarit Gazmend Zeqiri, pastaj provave materiale të QPS-së në Vushtrri që kanë të bëjnë me realizmin e ndihmës sociale për të dëmtuarin Gazmend Zeqiri, e po ashtu edhe nga deklarata e dëshmitarit Zeqir Zeqiri, pa dyshim vërtetohet gjendja faktike siç përshkruhet në diapozitiv të aktakuzës me qka edhe i akuzuari ka kryer veprat penale me të cilat ngarkohet.

Në fund të dhënies së  fjalës së tij përfundimtare, prokurori Ujkani, ka deklaruar se mbetej në tërësi pranë aktakuzës dhe gjykatës i propozoi që të pandehurin ta shpall fajtorë dhe ta gjykoj sipas ligjit.

Edhe i dëmtuari e ka përkrahur fjalën e prokurorit, duke kërkuar nga gjykata që ta dënoj të akuzuarin duke thënë: “Kam vuajtur unë dhe ka vuajtur familja ime, mos të vuajnë familjet e tjera por të marrin mësim”.

Ndërsa, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Faruk Korenica, duke shprehur besimin në trupin gjykues, ka kërkuar aktgjykim lirues për të  mbrojturin e tij, sepse sipas tij prokurori nuk ka sjellë asnjë element për vërtetimin e akuzës.

Kurse i pandehuri ka thëne se nuk kishte kërkuar asnjëherë para, dhe se krejt ajo ku thuhej se kishte kërkuar para, sipas tij janë vetëm gënjeshtra, duke shtuar se pajtohej në tërësi me fjalën që e ka thënë avokati i tij.

“Nuk jam fajtor dhe nuk e ndiej veten fajtor”, tha në fund i akuzuari Kovaqeviq.

Shpallja e Aktgjykimit lidhur me këtë rast pritet të bëhet sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.