Si u bënë biznesmenët shqiptarë zot të Brezovicës duke i korruptuar të gjithë
Tri vite më parë emisioni hulumtues “Kallxo Përnime” kishte arritur të intervistonte njërin nga 15 dëshmitarët e prokurorisë në rastin e njohur si Brezovica.
Në detajet e thënë në intervistë përmenden mite dhënie masive për pushtetarë në nivelin lokal e qendrorë dhe skema të shumta të korrupsionit të cilat mundësuan ndërtimin e mbi 800 ndërtesave e hoteleve në zonën e njohur të Brezovicës.
“Asnjë leje ndërtimi nuk ka mundur të merret pa u dhënë 10 mijë euro. Kemi pagu deri në 200- 250 mijë euro për një leje. Ne kemi qenë zot të Brezovicës, kemi bo çka kemi deshtë, kemi arrit me e ndryshu emrin e lumit, prej lum në rrjedhë ujore. Kemi pre male e kemi rrëzu lisa qindra vjeçar”.
Këto janë vetëm disa pjesë të rrëfimit të tij i cili nuk është transmetuar ende deri më sot për shkak të hetimeve të Prokurorisë.
Por sonte në Kallxo Përnime mund ta ndiqni rrëfimin e tij.
Emisioni shpërfaqë mënyrën se si biznesmenët shqiptarë arritën të bëheshin zot të Brezovicës duke korruptuar pushtetarët serbë të Komunës së Shtërpcës e pushtetarët shqiptarë në Qeverinë e Kosovës.
Në nisje të emisionit, gazetari Kreshnik Gashi shpërfaqë rrjedhën e hetimit të ngjarjes.
Aty dëshmohet se Dosja “Brezovica” kishte nisur të hetohej në vitin 2016, mirëpo atëkohë hetimet kishin ngecur.
Provat që janë përmendur në emision tregojnë që ndërtimet në Brezovicë nisën pas vitit 2012 kur disa kompani shqiptare nisën të ndërtonin vila në atë zonë.
Të dhënat tregojnë se biznesmenët shqiptarë kishin krijuar lidhje në komunën e Shtëprcës dhe përmes korrupsionit arrinin të merrnin leje të ndërtimit në komunë.
Mitoja sipas të dhënave të deritanishme është shoqëruar me mbi 3 milionë euro të dhëna mito, të cilat dyshohet të kenë shkuar tek ish-kryetari i komunës Branislav Nikoliq por edhe tek zyrtarë të tjerë, përfshirë njerëz në Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Ambientit.
I hulumtuar që nga viti 2021, në pjesën e parë të emisionit do shfaqet edhe aksioni i Prokurorisë dhe Krimeve të Rënda në zonën e Brezovicës.
Aty janë shpërfaqur pamje nga momentet kur në shtëpinë e kryetarit Nikoliq gjenden para të dyshuara të korrupsionit e po ashtu të dhëna të tjera nga bastisjet.
Emisioni nisë transmetimin të shtunën nga ora 20:10 në RTV Dukagjini dhe në Facebook të KALLXO.com.