Foto: Kallxo.com

VV kundër Listës Serbe (Video)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka arritur t`i certifikojë kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet në katër komunat veriore.

Në mbledhjen e sotme dy përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ kundërshtuan certifikim e tyre.

“Për t`u kthyer në çështjen konkrete, unë mendoj që KQZ-ja sot do të duhej të sillej si institucion në tërësinë e situatës dhe me përgjegjësi institucionale dhe shtetërore dhe mendoj që kjo çështja e certifikimit të këtyre 4 kandidatëve, sidomos 3 ish kryetarëve duhet të marrë kahje ligjore dhe gjyqësore”, tha Rrustemi.

Adnan Rrustemi, KQZ

“Marrë parasysh të gjitha këto, nuk mund ta mbështes certifikimin e kandidatëve në fjalë, unë shpresoj që Lista Serbe do të na ofroj dokumente qoftë edhe brenda ditës së sotme që i qartëson të gjitha këto dilema para se të marrim vendim”, tha ai.

Florian Dushi, anëtar i KQZ-së nga LDK-ja, tha që përderisa ky është rekomandim i zyrës duhet të pranohen këta kandidatë,  dhe KQZ-ja duhet të shmanget nga vlerësimet politike për këtë çështje.

“Ideja se janë dorëhequr dhe nuk kanë të drejtë do të krijonte një precedent tjetër, sepse ju e dini që në Kosovë kemi organizuar që prej vitit 2010 kemi pasur vazhdimisht zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat janë provokuar nga subjekte politike të cilat e kanë rrëzuar vetveten. Prandaj sipas kësaj logjike do të duhej të ja ndalonim të marrin pjesë. Prandaj për këtë arsye kërkoj që si institucion të mos marrim barrë politike përtej pjesës së autorizimeve tona kushtetuese dhe ligjore”, tha Dushi.

Florian Dushi, KQZ

As pas një pauze, KQZ nuk arriti një konsensus për certifikimin e kandidatëve serbë.

“Aty po diskutohen joformalisht të gjitha situatat në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje, por zgjidhja është e qartë që Lista Serbe duhet të distancohet nga qëndrimet e saj”, tha Rrustemi.

Sot është afati i fundit për certifikimin e kandidatëve për kryetarë Komunave në veri, dhe KQZ-ja ende nuk ka arritur marrëveshje brenda saj për certifikimin e 3 nga 4 kandidatët e Listës Serbe.