Vuçiq: Thaçi e Haradinaj po e luajnë lojën ‘polici i mirë, polici i keq’

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dalë sonte para gazetarëve për të folur për zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë pas vendimit për ngritjen e taksës doganore prej 100% për produktet serbe nga ana e qeverisë së Kosovës dhe arrestimeve të sotme në Mitrovicën e Veriut rreth vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Vuçiq ka akuzuar institucionet në Kosovë se duan që t’i largojnë serbët nga Kosova.

“Qëllimi i Prishtinës është që serbët ta braktisin Kosovën, që të mos ketë serbë në Kosovë”, tha Vuçiq.

Duke folur për taksën doganore, Vuçiq tha se Serbia nuk do të bëjë dialog me Kosovën pa e revokuar këtë vendim.

“Kurdo që e largojnë tarifën, ne do të jemi të gatshëm të bisedojmë”, tha ai.

Vuçiq, në adresimin e sontëm, ka thënë se Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj, po veprojnë në koordinim kundër serbëve të Kosovës.

“Thaçi e Haradinaj po e luajnë ‘policin e mirë dhe policin e keq’. Ata po veprojnë të sinkronizuar. Diçka nga pronat shoqërore që qeveria e Haradinajt ua ka dhënë komunave serbe, Thaçi është ankuar në Gjykatën Kushtetuese”, tha Vuçiq.