Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Dialogu mund të vazhdojë vetëm pas heqjes së taksës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas diskutimit në Këshillin e Sigurimit në OKB falënderoi disa nga vendet që ishin kundër Ushtrisë së Kosovës.

“Është e dukshme që asnjë nuk mund të gjejë ndonjë nen nga i cili Prishtina e nxjerr një paragraf për themelimin e ushtrisë. Është një arsye e thjeshtë sepse ai nen nuk ekziston. U jam falënderues njerëzve që donin të jenë objektivë dhe ta shohin realitetin” tha ai.

Sipas tij nuk ka pasur spastrim etnik në Kosovë duke shtuar së një referim i tillë vret shanset për marrëveshje.

“Prishtina tha se ka ndodhur spastrim etnik, këto janë faktet në krahinën jugore serbe kanë qenë 1.4 milion sot janë 1.7 milion këto janë shifrat dhe faktet kush e ka bërë këtë pastrim etnik. A është dikush që mund t’i mohoj numrat? Nuk po them se kemi pasur gjithmonë të drejtë por mund të them se kjo qasje e njëanshme jo vetëm se vret të vërtetën por edhe vret gjasat për arritjen e një marrëveshjeje”, tha ai.

Tutje Vuçiq vuri në dyshim legjitimitetin e planit të Ahtisaarit, duke thënë që Prishtina është sjellë si agresore.

“Plani i Ahitisaarit që ju po i referoheni nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi, nuk ka dispozita apo dakordime që mund t’i referohemi. Dikush përmendi forcën. Ne nuk kemi përdorur forcë, Prishtina ka përdorur forcë kundër kryenegociatorit i cili është rrahur”, theksoi ai.

Presidenti i Serbisë në këtë mbledhje fajësoi edhe një herë palën kosovare për taksën duke kritikuar vendet që e përkrahën Kosovën.

“Për disa vende është e lehtë që e fajësojnë Serbinë, ne nuk kemi futur taksa, nuk kemi krijuar ushtri në komunitetin serb por duhet të fajësohemi që dikush të arsyetojë politikën e gabuar. Unë dua që Prishtina të punojë shumë më mirë sa i përket çështjeve të krimit të organizuar por sot ndoshta është vendi më i keq në Europë” tha ai.

Sipas tij 10 kryetarët e komunave i referoheshin deklaratës së Thaçit duke thënë që ata janë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës. “Ata e shohin ushtrinë e Kosovës si rrezik të madh për mbijetesën e tyre”, shtoi ai.

Ndërsa duke folur për dialogun Vuçiq tha se ai do të vazhdojë vetëm pas largimit të taksës.

“Ne do të vazhdojmë me dialog sapo që ata të heqin vendimin e tyre për këto tarifa dhe mendoj se deri më tani kemi reaguar në mënyrë të përgjegjshme dhe do të vazhdojmë në këtë mënyrë. Deri më tani ajo çfarë kanë bërë na ka çuar mbrapa për 5 ose 6 vite dhe do të kërkojmë nga ju që t’i përkrahni proceset që mund të çojnë në marrëveshje të mundshme” theksoi ai.