Vjosa Osmani | Foto: KALLXO.com

Vjosa Osmani: Kriteri i Demarkacionit i Qëllimshëm

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane janë takuar me shefen e re të zyrës së re të BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.

Apostolova gjatë takimi me deputetët bëri të ditur se BE-ja ka në Kosovë zyrë me të madhe sesa në vendet e tjera.

“Qeveria e Kosovës nuk duhet te jetë fare tolerante sa i përket korrupsionit, duhet të dëshmoni që jeni duke e luftuar atë. E kjo luftë bëhet duke i larguar ata zyrtarë që janë të përfshirë në korrupsion. E ata që janë të përfshirë duhet te dënohen”, u tha shefja e re e zyrës së BE-së deputetëve.

Ajo ka kërkuar prej deputetëve që t’i bëjnë presion qeverisë.

“Ju si komision duhet t’i bëni presion qeverisë që t’i përmbushë të gjitha pikat që dalin nga marrëveshja e MSA-së,” tha Apostolova.

Ajo edhe njëherë ua ka bërë të ditur deputetëve që janë edhe 2 kritere që duhet plotësuar për lëvizje pa viza të kosovarëve.

“Sa i përket liberalizimit të vizave ju i dini dy kushtet e mbetura. Këto dy kushte, ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsioni duhet të përmbushen që të merrni vizat,” tha Apostolova

Ajo gjithashtu ka kërkuar që marrëveshjet e arritura në Bruksel të zbatohen nga dyja palët.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi tregoi një detaj nga takimet që ky komision ka pasur në Bruksel javën e kaluar.

“Në pyetjen që kolegët e mi deputetë ia kanë bërë zyrtarëve të BE-së, se a na garantoni marrjen e liberalizimit të vizave, nëse e ratifikojmë demarkacionin, përgjigja ka qenë jo, s’ju japim garancione të tilla”, tha në mes tjerash deputeti Gashi.

Ndërsa deputetja tjetër e LDK-së, Vjosa Osmani tha që kriteri për demarkacionin është bërë me qëllim që Kosovës të mos i jepet liberalizimi i vizave.

“Kur është dhënë kriteri i demarkacionit, është bërë me qëllim që të mos na jepet liberalizimi i vizave. Kjo është e njëjtë me rastin kur profesori ia bën me qëllim atë pyetje që studenti nuk e di, vetëm për ta rrëzuar nga provimi,” tha Osmani.