Albin Kurti gjatë një proteste të Vetëvendosjes. Foto: Atdhe Mulla

Visar Ymeri Ende se Ka Takuar Albin Kurtin

Edhe pse janë bërë më shumë se 4 orë prej që deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti doli nga qendra e paraburgimit në Lipjan, ai ende nuk është vizituar nga kryetari i partisë, Visar Ymeri.

Në një prononcim për KALLXO.com, kreu i Vetëvendosjes Visar Ymeri tha që ende se ka takuar Kurtin, andaj nuk e di se çfarë hapa do të marrin.

“Nuk kam njëherë kurrfarë komenti, do ta takoj z.Kurti e pastaj shohim”, tha Ymeri shkurtimisht për KALLXO.com.

Vetë Ymeri, por edhe disa deputetë e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të prononcohet për media në lidhje më problemet e brendshme të Vetëvendosjes pa u liruar Albin Kurti.

Albin Kurti së bashku me deputeten tjetër Donika Kadaj Bujupi kanë qëndruar në paraburgim më shumë se 1 muaj derisa u liruan sot.

Kurti ka folur ekskluzivisht për KALLXO.com menjëherë pas lirimit nga qendra e paraburgimit në Lipjan. Ai e ka pranuar se ka pasur dhe vazhdon të ketë mospajtime në Lëvizjen Vetëvendosje por që shpreson se do të kalohen.

http://kallxo.com/ekskluzive-albin-kurti-flet-pas-lirimit-nga-paraburgimi/

Ka më shumë se tri javë që në media u publikuan disa komunikime të brendshme të deputetëve të VV-së, ku Albin Kurti ofendohej nga deputetja Aida Dërguti dhe pastaj u shpërfaqen problemet e mëdha që kjo parti kishte pasur që një kohë.