Video: Rrëfimi i kapitenes me pëvojë 20 vjeçare në Policinë e Kosovës

Kapitene Feime Bajrami, ka filluar karrierën e saj në Policinë e Kosovës para 20 viteve.

Gjatë këtyre viteve, Bajrami rrëfen se ka kaluar nëpër shumë sfida, duke punuar në rajone të ndryshme të Kosovës si zyrtare e Policisë së Kosovës.

“Në vitin 2000 jam kyç në Policinë e Kosovës ku fillimisht pas përfundimit të trajnimin bazik në Vushtrri, kam filluar punën në stacionin policor në Gjilan, trajnimi fushor ku kam kaluar nëpër të gjithë njësitë patrulluese në trafik, në hetime dhe në të gjitha me radhë, ndërsa në vitin 2003 jam promovuar në gradën e rreshteri ku kam punuar në Gjilan, ndërsa në vitin 2005 jam promovuar në gradën e togerit dhe prej asaj kohe kam pas pozita të ndryshme në Policinë e Kosovës duke filluar nga udhëheqësi i ndërrimit, deri në pozitën e komandantit të stacionit. kam punuar në regjione të ndryshme në Gjilan, në Prishtinë, në Ferizaj ndërsa tash para dy jave jam caktuar komandant stacioni  në stacionin policor në Gllogoc me promovimin tim në gradën kapiten”, tregon Bajrami.

 

Bajrami tregon për KALLXO.com se dëshira e saj ka qenë gjithmonë që të ketë një profesion përmes të cilit gjithmonë mund të jetë në shërbim të vendit, duke treguar se ka bërë zgjedhjen e duhur që është bërë pjesë e Policisë së Kosovës.

“Çdo herë kam menduar se si t’i shërbej popullit tim dhe kjo ndoshta ka qenë mënyra dhe zgjidhja më e mirë që ti ofroj shërbime popullit dhe vendit tim”, rrëfen kapitenia.

Fillimisht kur është bërë pjesë e Policisë së Kosovës, kapitenia tregon se nuk ka menduar se do të mundë të arrijë në pozitën të cilën e mban tani si komandante stacioni, por kjo ka ndryshuar pas disa viteve.

“Me thënë të drejtën nuk e kam menduar por me kalimin e kohës, trajnimin qe e kemi ndjek atëherë ka filluar dëshira dhe vullneti për me arrit edhe në pozita të tjera”, ka treguar Bajrami.

Gjatë aktiviteteve të saj në pozita udhëheqëse në Policinë e Kosovës, Bajrami ka rrëfyer se ka pasur shumë raste kur ka dhënë urdhëra për gjininë e kundërt, e kjo sipas saj nuk është aspak e vështirë.

“Është njëjtë sikur me i komandu femrat sikur meshkujt, unë prej vitit 2003 zakonisht në mbikëqyrje kam pas rreth 90 % të meshkujve, ndërsa 10 % femra, por nuk është diçka e vështirë, është diçka normale sikur me femra sikur me meshkuj së paku për mu është e njëjtë”, ka thënë Bajrami për KALLXO.com.

Gjatë kësaj interviste, kapitenia ka rrëfyer për përvojën e saj kur për herë  parë ka mbajtur revolen në dorë, duke mos pasur asnjëherë përvojë të ngjashme.

“Po e mbaj mend, ka qenë e vështirë, sepse unë më herë asnjëherë nuk kam pas revole në dorë , mirëpo me trajnime, me kalimin e kohës është bërë praktikë dhe nuk e kam problem tash e kam pjesë të pajisjeve të mia dhe pa problem e përdori”, ka rrëfyer Bajrami.

Sipas Bajramit, të jesh grua dhe të jesh Pjesë e Policisë së Kosovës, është profesion sfidues dhe nuk është aspak e lehtë, por sipas saj suksesi mund të arrihet vetëm me përkushtim në këtë profesion.

“Nuk është e lehtë, realisht  nuk është e lehtë për asnjë pjesëtarë, as për femra as për meshkuj, është mjaftë sfiduese, sidomos në departamentin e operativës ku përfshihet edhe pozita e komandantit të stacionit, ku ka gjithmonë sfida dhe situata të papritura, gjithmonë duhet të jesh i gatshëm për veprim , nuk është e lehtë por me një përkushtim dhe angazhim maksimal i kryen detyrat me sukses”, ka thënë Bajrami.

Intervistën e saj për përvojën 20 vjeçare në Policinë e Kosovë, kapitenia Feime Bajrami e ka përfunduar duke treguar se në asnjë rast nuk mendon të heq dorë nga Policia e Kosovës.

“Nuk e kam menduar asnjëherë dhe nuk e di nëse do të ketë ndonjë rast që do ta lë policinë e Kosovës”, ka thënë Bajrami.