Video 360: Dënimi i Gavriqit Shqyrtohet në Apel

Në Gjykatën e Apelit nisi shqyrtimi i dënimit të Sllobodan Gavriqit për vepra që lidhen me terrorizmin dhe rrezikimin e rendit kushtetues të vendit.

Gjyqtarja raportuese aktualisht po e paraqet një kronologji të rastit të Gavriqit që nga arrestimi deri te dënimi i tij dhe ankesa në Apel.

Jokanoviq duke folur për ankesën e tij, tha se nuk e konteston veprimet e Sllobodan Gavriqit, por vetëm kualifikimin e veprës penale.

Avokati pretendon se Gavriq nuk duhet të dënohet për përgatitje të veprave që lidhen me terrorizmin, por për eksport-import të armëve.

Gavriq tha se nuk ka çfarë t’u shtojë atyre që tha avokati i tij dhe i përkrahu deklaratat e Zhivojin Jokanoviqit, ndërsa Prokuroria e Apelit kërkoi nga gjykata hedhjen poshtë të ankesës së mbrojtjes së Gavriqit dhe vërtetimin e aktvendimit të gjykatës themelore.

Pas dënimit të Sllobodan Gavriqit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në Gjykatën e Apelit ishte ankuar avokati i tij Zhivojin Jokanoviq.

Sllobodan Gavriq u dënua me 13 vjet burg më 29 qershor të këtij viti.

http://kallxo.com/denohet-sllobodan-gavriq/

Të njëjtën ditë avokati i tij Jokanoviq paralajmëroi se do të ankohej ndaj vendimit të gjykatës për dënimin e klientit të tij.

http://kallxo.com/avokati-gavriq-u-denua-pa-arsyetim/

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Gavriqit më 10 korrik 2015.

Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriqi përgatiti kryerjen e veprën penale të terrorizmit  ashtu që gjatë muajit dhjetor të vitit 2014 në Beograd u furnizua me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 gramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Gavriqi këtë sasi të eksplozivit e transportoi nga Beogradi për në Prishtinë me veturën e ti “Renault Clio” kur rreth orës 21:00 në Lagjen “Arbëria” është ndaluar nga Policia e Kosovës me ç‘rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin ishte vendosur eksplozivi.

Prokuroria pretendonte se eksplozivi i Gavriqit, ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

Gjatë procesit gjyqësor Gavriqi nuk e pranoi fajësinë, ndërsa tha se eksplozivin në Prishtinë e kishte sjellë për ta shitur.