Veturat Ngecin në Akull në Qendër të Prishtinës

Për shkak të akullit, shumë automjete kanë ngecur në hapësirën mes Fakultetit të Edukimit, Galerisë së Arteve e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

KALLXO.com ka incizuar pamje ku shihen disa qytetarë duke u përpjekur në mënyra të ndryshme të nxirrnin automjetet e tyre nga kjo zonë në qendër të kryeqytetit, por nuk ia kanë dalë.

Edhe për qytetarët që kalonin në këtë pjesë ecja në këmbë nuk ishte e lehtë.

Ndonëse Komuna e Prishtinës ka kontraktuar 6 kompani për mirëmbajtje e rrugëve gjendja në këtë pjesë të qytetit vazhdon të mbetet e rëndë.

Adonis Tahiri nga Zyra për Informim e Komunës së Prishtinës tha për KALLXO.com se ajo hapësirë i takon Universitetit të Prishtinës dhe se Komuna nuk është përgjegjëse për pastrimin e asaj pjese.

“Ajo është hapësirë e Universitetit të Prishtinës për të cilën Komuna nuk ka përgjegjësi ta pastrojë. Në rast se do të kërkonin ndihmë, Komuna do t’i pastronte por nuk ka pasur kërkesë për ndihmë”, tha Tahiri.

Ai gjithashtu inkurajoi qytetarët që të thërrasin në qendrën e thirrjeve të Komunës në mënyrë që kjo e fundit të intervenojë kudo ku ka vështirësi.

http://kallxo.com/per-shkak-te-akullit-veturat-perfundojne-ne-ara/

Redaktoi: Naser Sertolli