Vetëm Një Orë në Burg Për Dënimin 30-Muajsh

Në drejtësinë kosovare ka pasur lloj-lloj rasti e skandali, arrestime para kohe e arrestime të vonuara, burgosje jo të drejta e lirime nga burgu brenda pak orësh.

Siç raportoi Drejtësia në Kosovë  në emisionin që u transmetua të premten në RTK, një gjë e tillë kishte ndodhur me një person i cili në burgun e Dubravës vuajti vetëm një orë të dënimit të tij prej 30 muajsh burg.

Fisnik Lajqi nga Peja është i dënuar me 30 muaj burgim për lëndim të rëndë trupor. Dënimi i tij është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Sipas ligjit, personat e dënuar me burgim  e  për të cilët ka vendosur edhe Gjykata e Apelit, duhet të shkojnë dhe ta vuajnë dënimin.

Policia e Kosovës konform një fletarresti të gjykatës e arrestoi Lajqin dhe e dërgoi në burgun e Dubravës për ta vuajtur dënimin.

I arrestuar me urdhër të gjykatës Lajqi ishte dorëzuar në burgun e Dubravës në orën 10 të datës 20 dhjetor 2015 por ai u la i lirë vetëm një orë pas në ora 11 me vendim të gjykatës së Pejës.

Mirëpo kjo gjykatë dha urdhër që Lajqi po atë ditë sërish të arrestohej dhe të dërgohet para një gjyqtari tjetër për një vepër tjetër të hapur. Për të njëjtën ditë Lajqi u arrestua dy herë, një herë u dërgua në burg e një herë në gjykatë. Ai gjithashtu ka edhe dy vepra tjera të hapura në Gjykatën e Pejës.

Për ta sqaruar situatën e pazakontë ku i dënuari me 30 muaj burgim lirohet nga burgu vetëm një ore pasi është futur në burg, “Drejtësia në Kosovë” kontaktoi Ministrinë e Drejtësisë e cila merret me menaxhimin e burgjeve.

“Ju njoftojmë se Fisnik Lajqin, Policia e Kosovës e ka sjellë në Qendrën Korrektuese në Dubravë me datë 20.11.2015 në ora 10:00, referuar urdhëresës së Gjykatës Themelore në Pejë”, thuhet në përgjigje në të cilën përmendet se Lajqi ishte i dënuar me 30 muaj burg.

Por të njëjtën ditë, në ora 11:00 Gjykata e Pejës e ka dërguar një urdhëresë me të cilën e tërheqë urdhëresën e lëshuar më parë dhe urdhëron që Lajqi të lirohet nga mbajtja e dënimit, pasi Gjykata e Apelit ia kishte aprovuar kërkesën për shtyrjen e mbajtjes së dënimit deri më 03.12.2015.

Edhe në shkresën e burgut të Dubravës shkruan se “tërhiqet Urdhëresa e lëshuar stacionit policor në Pejë për ekzekutimin e dënimit për Fisnik Lajqin pasi atij i është shtyrë vuajtja e dënimit në kohëzgjatje prej 3 muajsh”.

Elmaze Syka, kryetare e Gjykatës në Pejë, thitë se arrestimi i Lajqit ishte një gabim teknik dhe për këtë arsye ai duhej të lirohej nga burgu.

“Dy javë para së të vie afati për skadimin e ekzekutitimit të dënimit është bërë një gabim nga referentja për ekzekutim e cila ia ka lëshuar urdhëresën për ekzekutim dhe policia e ka arrestuar dhe e ka dërguar në Dubravë, dhe pas një ore u vërejt gabimi dhe Lajqi është liruar”, theksoi Syka.

Lajqi ishte i kërkuar me dy fletarreste të gjykatës së Pejës dhe arriti ta shtynte dënimin e tij duke e apeluar atë në gjykatën e Apelit. Zyrtarisht gjykata e Apelit nuk ishte e njoftuar se Lajqi ishte duke u kërkuar edhe për llogari të gjykimit i cili mbahej pranë gjykatësit Sylë Lokaj.

Vetë Fisnik Lajqi nuk ka dashur të flasë për “Drejtësia në Kosovë”.

Ndërsa avokati i tij, Gëzim Baloku thotë se klienti i tij e kishte shtyrë ekzekutimin e dënimit.

“Brenda kësaj kohe ka shkuar nga gjykata për t’iu bërë ekzekutimi sepse nuk është kqyrë vendimi dhe pastaj kam shkuar unë me vendimin e gjykatës për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit. Sa i përket asaj nëse ai do paraqitet për ta vuajtur dënimi apo jo, unë nuk mund të komentoj”, tha Baloku.

Lajqi në kohën e lirimit ishte person në kërkim nga policia edhe për një rast tjetër.

Rasti i tij tregon për mos-koordinim të organeve të ndjekjes në menaxhimin urdhëresave të gjykatës.

Policia e Kosovës, e cila e arrestoi dy herë Lajqin nuk deshi të komentojë për këto paqartësi.

“Policia ka vepruar në bazë të shkresave që kanë ardhur nga Gjykata për gjithçka drejtohuni në Gjykatën e Pejës”, tha Xhevat Ibra, zëdhënës rajonal i Policisë në Pejë.

Përfundimisht me 20 dhjetor, Lajqi u la i lirë.

Një gjurmim më i thellë në këtë çështje i “Drejtësia në Kosovë” zbuloi edhe diçka tjetër.

Lajqi ishte arrestuar nga policia vetëm atëherë kur kishte tentuar që në komunën e Pejës të ndryshonte disa shkronja të mbiemrit të tij. Zyrtarisht me një vendim të komunës së Pejës të kërkuarit me dy fletarreste, më 18 dhjetor i ishte lejuar korrigjimi i mbiemrit nga Laiqi në Lajqi.

Pra sipas zyrtarëve të komunës së Pejës, në korrigjimin e mbiemrit të Lajqit nuk ka asnjë problem.

“Korrigjimi ka ndodhur në tërësi duke e respektuar ligjin aktual që është në fuqi, dhe se nuk e parasheh ligji e as akti nën ligjor që t’i kërkohet certifikata që nuk është nën hetim, sepse ky nuk është ndërrim po është korrigjim“, tha Thaçi.

Edhe pse zyrtari i komunës tha se të gjitha procedurat për korrigjimin e mbiemrit ishin përfunduar dhe sistemi do duhej të vepronte, Ministria e Punëve të Brendshme më 18 dhjetor e kishte bllokuar vendimin e komunës.