Veseli takon kroatët, kërkon investime më të mëdha nga Kroacia

Në takimin me Grupin e Miqësisë Kosovë – Kroaci të Parlamentit kroat, kreu i Kuvendit ka thënë se ka nevojë për një bashkëpunimi më të ngushtë midis dy vendeve në fushën e investimeve ekonomike.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim Grupin e Miqësisë Kosovë – Kroaci të Parlamentit kroat.

Siç njofton zyra për media e kuvendit, në takim i bisedua për zhvillimet aktuale politike në vendin tonë, për marrëdhëniet midis dy vendeve mike dhe parlamenteve respektive.

“Kreu i Kuvendit e konsideroi të rëndësishme përvojën parlamentare kroate dhe sidomos atë të procesit të integrimit evropian të Kroacisë, të cilat, sipas tij, mund t’i shërbejnë Kosovës në forcimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare dhe lehtësimit të rrugëtimit euro-integrues”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Veseli theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë midis Kosovës dhe Kroacisë në fushën e investimeve ekonomike.

“Deputetët e Saborit, anëtarë të Grupit të Miqësisë me Kosovën, theksuan se vizita e tyre në Kosovë është pikërisht në funksion të forcimit të miqësisë e të bashkëpunimit midis dy vendeve, ndërsa konfirmuan gatishmërinë dhe përkushtimin e shtetit kroat për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës në të gjitha drejtimet.”.