Evakuimi i familjes së ngujuar nga FSK-ja, Foto: Kallxo.com

Ushtrimi ku FSK dëshmon aftësitë në operacione ujore

Gjatë ditës së tretë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, njësitet e FSK-së duhet të evakuojnë një familje që ka mbetur e izoluar për katër ditë në thellësi të liqenit të Badovcit.

E vetmja metodë për evakuimin e tyre është përmes barkës. Kërkohet që ata të dërgohen në shkollën e fshatit ku i presin autoritetet e atij fshati.

Për shkak të kërcënimit nga grupi terrorist ‘Pandora’ ka nevojë për siguri të shtuar në mënyrë që njësiti për kërkim-shpëtim ujor dhe kërkim shpëtim-malor së bashku me njësitë e ndihmës së parë të kryejnë evakuimin e familjes së ngujuar.

Pajisjet e Njësitit të Zhytësve të Regjimentit të Mbrojtjes Civile janë shumë të sofistikuara dhe ofrojnë mundësi të komunikimit nënujor. Barkat e tyre mund të zhvillojnë shpejtësi deri në 70 kilometra në orë. Janë modele të cilat i përdorin shumica e njësiteve speciale të ushtrive moderne.

Evakuimi i qytetarëve kryhet me sukses dhe ata dorëzohen te njësiti tjetër i FSK-së, gjegjësisht te njësiti i Kryqit të Kuq

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, më 3 maj të këtij viti, 700 ushtarë janë dislokuar dhe janë vendosur në kampin fushor në Koliq.

Në ditën e dytë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’, është simuluar një krizë në rajonin e Batllavës ku si rezultat i reshjeve të vazhdueshme është rritur niveli i ujit në liqen. Në mënyrë që mos të ketë dëmtime edhe më të mëdha, zyrtarët kanë hapur kanalin dhe kanë lejuar sasi të mëdha të ujit të dalin në lum.

Ky është episodi i tretë i serisë së emisioneve speciale për FSK-në, KALLXO Forca.

Më poshtë mund të gjeni xhirime ekskluzive të realizuara nga KALLXO.com në bashkëpunim me FSK-në kuadër të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’.