Komuna e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

U.D. Drejtoresha e QPS-së në Mitrovicë, e dyshuar për vjedhje dhe shpërdorim

Në fillimit të muajit tetor, Komuna e Mitrovicës ka emëruar në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Luljeta Begollin.

Emërimin e Begollit në pozitën U.D. Drejtoreshë e QPS-së në Mitrovicë e ka konfirmuar edhe drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, Nazan Kerveshi.

“Po është emëruar për tre muaj dhe shumë shpejtë do të hapet konkursi për këtë pozitë”, tha Kerveshi për KALLXO.com.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka thënë se Begollit gjatë vitit 2010 i ishte ngritur një kallëzim penal për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale vjedhje.

Në përgjigjen e Prokurorisë thuhet se e njëjta është nën hetime për shkak të një kallëzimit penal për dyshim të kryerjes së veprës penale shpërdorim.

“Kjo lëndë është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë  me 3 tetor 2018 dhe e njëjta është në punë”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Luljeta Begollin për emërimin e saj si U.D. Drejtoreshë e Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë por ajo nuk ka pranuar të flasë rreth dyshimeve për keqpërodim.

“Mund të diskutoni me shefin e personelit e jo me mua për emërimin, ai është kompetent të flas për këto çështje”, është shprehur Begolli duke mos pranuar se është emëruar në këtë pozitë.

Kur Begolli është pyetur rreth një incidenti në të cilin ishte përfshirë me disa palë në Qendrën për Punë Sociale në Mitrovicë ajo është përgjigjur duke thënë se ato janë probleme njerëzore.

“Asgjë nuk është ajo hiç, janë probleme njerëzore që kemi çdo ditë në Qendër për Punë Sociale”, është shprehur Begolli.

Këtë incident në QPS në Mitrovicë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë se në lidhje me rastin janë intervistuar personat e përfshirë në këtë incident.