'Lëmshi' rreth Fondit të Rimëkëmbjes, lë nxënësit e komunës së Mitrovicës së Jugut pa masa mbrojtëse përballë virusit

Me procedurë të koutimit të çmimit, me kriter të dhënies së kontratës, çmimi më i ulët, Komuna e Mitrovicës së  Jugut kishte iniciuar katër aktivitete të prokurimit publik në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Këta tenderë, që shuma e përgjithshme e parashikuar e tyre kapte vlerën e 39,920 euro, ka të bëjë me pandeminë e virusit COVID-19. Nga furnizim me tabletë për mësim online deri te dezinfektimi, tenderët u anuluan. Afatet të shkurtëra për shfrytëzimin e fondit për rimëkëmbje ekonomike ku edhe ishte bazuar komuna për këta tenderë dhe për të mos hyrë në obligime kontratkuale si borxh për vitin vijues nga 2020-ta, doli të ishte arsyeja e anulimit të tyre.

Më 10 dhjetor të vitit të kaluar, Komuna e Mitrovicës së Jugut inicioi aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me tabletë për mësim online nëpër shkolla fillore dhe të mesme”, me parashikim për të nënshkruar një kontratë në vlerë deri 9,990 euro. Katër ditë më vonë, komuna publikoi edhe thirrjet për kontratë si: “Furnizim me maska medicinale për shkolla për parandalim të COVID 19 për shkak të [Infektimit të Personelit dhe nxënësve] me virusin COVID 19”, me vlerë të parashikuar të kontratës 9,990 euro, pastaj “Shërbimet e dezinfektimit të hapësirave të brendshme të shkollave të mbetura pa u dezinfektuar, për shkak të infektimit të personelit dhe nxënësveme virusin COVID 19”, me vlerë të parashikuar të kontratës 9,950 euro.

Gjithashtu një ditë më vonë, publikoi thirrjen për kontratë “Furnizim me dezinfektues për shkolla fillore dhe të mesme për parandalim të pandemisë COVID 19”, me vlerë të parashikuar të kontratës 9,990 euro.

Tenderët e sipërpërmendur, u anuluan, pasi mjetet në të cilat ishin bazuar për realizimin e tyre, ishin nga Fondi për Rimëkëmbje ekonomike, të cilat komuna nuk arriti t’i shfrytëzoj.

Më tej thonë se të gjitha pengesat kanë qenë kryekëput me afate të shkurtëra për realizim të këtyre procedurave.

Komuna e Mitrovicës së Jugut thotë se Fondi Rezervë për Rimëkëmbje Ekonomike është shëtitur për gjashtë muaj në Kuvendin e Kosovës deri në aprovimin e tij në fund të vitit ku autoritet kontaktuese nuk kanë mundësi t’a shfrytëzojnë bazuar në afatet kohore dhe rregulltat sipas Ligjit për Prokurim Publik (LPP) dhe RRUOPP.

“Kësaj pune në zhargonin popullor i thonë me një fjalë “po ta tregoj po s’po ta jap”, ose “qe po ta tregoj po s’munesh mi shfrytëzu, e kanë m`u kthy përsëri mjetet në Buxhet”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Ministria e Financave tregon se programi për rimëkëmbje ekonomike është aprovuar së bashku me Ligjin për Buxhetin për vitin 2021.

Ndërsa sa i përket asaj se a është marrë parasysh kohën që marrin procedurat e prokurimit publik sa i përket caktimit të afatit për shfrytëzimin e mjeteve nga Fondi Rezervë për Rimëkëmbje Ekonomike, nga ministria thonë se zbatohet legjislacioni në fuqi.

“Sa i përket procedurave të prokurimit, ato zhvillohen njësoj, pavarësisht nga programi i financimit, pra zbatohet legjislacioni në fuqi”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Financave.

Në anën tjetër nga Zyra e Prokurimit e Komunës së Mitrovicës së Jugut tregojnë se është përpjekur maksimalisht t’i shfrytëzon  mjetet e alokuara, mirëpo duke e ditur që këto mjete nuk mund të realizohen, nuk ishin të interesuar të hynë në obligime kontraktuale. Ndërsa thonë se kishin qëndrim që procedurat të zhvillohen me sinqeritet dhe drejtësi në mënyrë që të siguron vlerën më të mirë për paranë publike.

Këto procedura, sipas komunës, nuk kanë qenë në planin e prokurimit 2020 dhe sipas Ligjit për Prokurim Publik, pas marrjes së kërkesës për inicim duhet të dërgohet në AQP, dhe duhet të pritet 5 ditë deri në publikim.

Nga komuna tregojnë edhe kronologjinë aktiviteti të prokurimit

“Deklaratën e nevojave dhe disponueshmërisë së mjeteve e kemi pranuar me datë 03/12/2020 brenda këtyre ditëve është dërguar për aprovim në AQP dmth duhet pritë 5 ditë, me datën 11/12/2020, e kemi dërgu për publikim është publikuar me datë 12/12/2020 dhe hapja publike ka qenë me 17/12/2020 duke llogaritë se vlerësimi mu krye me afat rekord brenda 2 ditëve deri me 19/12/2020 dhe publikimi i njoftimit nga AK me të njëjtën datë 19/12/2020, afati i ankesave në AK 5 ditë kalendarike 24/12/2020 nëse ka ankesa në OShP 10 ditë, pastaj realizimi i punëve së paku 5 ditë 29/12/2020 që do të thotë se nuk kemi pas kurrfarë mundësie sepse 24/12/2020 ka qenë afati i fundit për realizimin e pagesave dhe nëse jo mjete kthehen në buxhet të RK”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Gjithashtu bëhet e ditur nga komuna se aprovimi në Kuvendin e Mitrovicës së Jugut ishte kryer me 3 nëntor 2020 për mjetet që kërkohen nga Fondi Rezervë për Rimëkëmbje dhe është dërguar në Qeveri, përderisa si prioritet për nisjen e procedurave përmendet Deklarata e Nevojave dhe Disponueshmërisë së Fondeve (DNDF).

Ministria vlerëson si të vonshme aprovimin nga komuna përderisa thotë se afatet duhet respektohen

“Koha se kur Kuvendi i Komunës ka aprovuar pakon e subvencioneve (me vonesë), është jashtë përgjegjësive tona, ndërsa afati për mbylljen e vitit fiskal duhet të respektohet. Ne kemi bërë zgjatje të afatit, aq sa lejohet me ligj duke ruajtur rregullat fiskale në fuqi”, përgjigjet Ministria.

Për pengesat e shfaqura, Komuna nuk kishte kërkuar sqarime nga niveli qendror, nderisa kishte kërkuar zgjatjen e afatit.

“Kemi kërkuar zgjatje të afatit bile disa ditë që nëse ishte kryer procedura në tërësi bile të realizohen këto procedura deri në fund mirëpo siç e ceka edhe më herët ndoshta ishin realizuar, mirëpo kishte ndodhë e njëjta sikur me disa procedura të tjera kështu më sigurt mos me hy në obligime me O. E. e mos me u kry pagesa e me mbet barrë për buxhetin e vitit 2021”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ministria e Financave e konfirmon se ka pranuar kërkesë dhe afati është zgjatë deri me 26 dhjetor

“Po ka pasur kërkesë me datë 24 Dhjetor 2020 , e cila ju është realizuar, dhe afati për ekzekutim është shtyrë deri më datë 26 dhjetor 2020 ora 17:00. Nga të dhënat në SIMFK rezulton se deri më datë 26 dhjetor 2020 , komuna ka  proceduar shpenzime nga buxheti i saj, konform me kërkesën”, përgjigjet Ministria e Financave.

Thesari i mbyllur dy ditë para datës së 24 dhjetor 2020

Komuna pretendon se sistemin i Thesarit iu ështe mbyllur me datën 24 dhjetor 2020, ndonëse përmendin se sistemi i Thesarit ishte i pa qasshëm dy ditë para kësaj date dhe mbase nuk kishin kërkuar sqarime.

“Jo nuk kemi kërkuar sqarime, prej kujt me kërkue sqarime sepse në qarkoren e Ministrisë thuhet citoj: Për të gjitha organizatat buxhetore, zyrtarë certifikues, ju njoftojmë se për shkak se data 25 dhjetor është festë zyrtare si dhe data 26 është ditë e shtune këto dy data (nga gjysma dite sipas rregullores) do të zëvendësohen me një ditë të plotë me lejim të qasjes për certifikim të shpenzimeve neve na është mbyll qasja me 24/12/2020”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Përveç kësaj, në njoftimin për anulim, komuna thotë se dy ditë para datës 24-r, Thesari ka qenë i mbyllur dhe pa qasshëm për komunën ku pretendohet edhe për dy ditë të humbura para afatit të fundit.

Ndërsa nga Ministria e Financave thonë se sipas rregullores për përfundimin e vitit fiskal, afatet për ekzekutimin e buxhetit janë të caktuara. Për çështje të subvencioneve nga pako komunale, iu është zgjatur afati i ekzekutimit deri më datë 26 dhjetor 2020 ora 17:00 të gjitha organizatave tjera buxhetore.

Tutje përmendet se të gjitha organizatave buxhetore (përfshirë komunat) për çështje të subvencioneve nga pako komunale, ju është zgjatur afati i ekzekutimit deri më datë 26 dhjetor 2020 ora 17:00.

A pati këso problemesh edhe në komunat tjera?

KALLXO.com është interesuar të marr vesh se a kishte probleme të kësaj natyre edhe në komunat tjera. Komuna e Mitrovicës së Jugut beson se një gjë e tillë u ka ndodhë edhe komunave tjera ndonëse nuk ishin konsultuar me të tjerët.

“Jo nuk jemi interesuar sepse ka qenë afati shumë i shkurtë dhe nuk kemi pas mundësi as për për konsultime po besoj edhe shumë komunave iu ka ndodhë e njëjta gjë”, përgjigjet komuna për KALLXO.com

Një pyetje e tillë iu është parashtruar edhe Ministrisë së Financave se a patën situata të ngjashme si kjo e Komunës së Mitrovicës së Jugut edhe me komunat tjera?

Nga Ministria nuk e bëjnë të ditur një gjë të tillë derisa përmendin ndarjet e reja buxhetore.

“Ligjet në fuqi zbatohen njësoj për të gjitha organizatat buxhetore. Me fillimin e vitit fiskal, nga ndarjet buxhetore të reja, të gjitha Organizatat Buxhetore kanë mundur të vazhdojnë procesin e ekzekutimit të buxhetit të tyre”.

Ministria njashtu përmend edhe vendimin nr. 06/58 te datës 14.01.2021, ku janë ndarë 7.9 milionë euro për komunat e Kosovës. Me vendim të Qeverisë, këto mjete do të alokohen nëpër secilën komunë sipas kritereve të përcaktuara.

 

Kalon Ligji i Rimëkëmbjes Ekonomike, qytetarët do mund ta tërheqin 10 përqindëshin nga Trusti