Presidenti Hashim Thaçi dhe eurodeputetja Ulrike Lunaçek - Foto: Presidenca e Kosovës

Thaçi: Lunaçek, Zë i Sinqertë i Kosovës në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot eurodeputeten Ulrike Lunaçek në takimin e saj të fundit si raportuese për Kosovën.

Thaçi e ka falënderuar eurodeputeten për përkushtimin e sinqertë për Kosovën.

“Keni qenë zë i Kosovës në Bruksel dhe i Brukselit në Kosovë. Një zë i sinqertë dhe konstruktiv”, ka thënë presidenti Thaçi sipas një komunikate të presidencës.

Ndërsa, eurodeputetja Ulrike Lunaçek theksoi se e ka përcjellë Kosovën që nga shpallja e pavarësisë.

“MSA dhe agjenda e reformave europiane janë udhërrëfyes për perspektivën europiane të Kosovës”, citohet të ketë thënë Lunaçek.

Sipas komunikatës së Presidencës, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova ka shënuar hapa të mëdhenj drejt konsolidimit të shtetit, duke përfshirë së fundmi edhe organizimin e mirë të zgjedhjeve dhe integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në veriun e Kosovës.

Ai ka thënë se zhvillimi ekonomik dhe social mbesin prioritete të Republikës së Kosovës.

Deputetja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, po qëndron sot në Kosovë në një vizitë lamtumirëse, pak para se të largohet nga funksionet e saj politike.

http://kallxo.com/ulrike-lunacek-sot-pershendetet-kosoven/

Humbja në zgjedhjet parlamentare të Austrisë që u mbajtën dy javë më parë ka bërë që Lunacek të japë dorëheqje nga funksionet politike brenda Partisë së Gjelbër të Austrisë ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të kthehet as si deputete të Parlamentin Europian, ku e mbante ulësen për disa mandate rresht.

Duke qenë deputete në këtë parlament ajo ka qenë në të njëjtën kohë edhe Raportuese për Kosovën ndërsa mandatin aktual është zgjedhur edhe Nënkryetare e Parlamentit Europian.

Në raportet e hartuara nga ajo,gjithmonë është bërë thirrje që Kosova të njihet nga 5 vendet anëtare të BE-së që refuzojnë ta bëjnë këtë veprim.