Raportuesj për Kosovën në PE, Ulrike Lunaçek dhe pasardhësi i saj, Igor Soltes - Foto: KALLXO.com

Lunaçek: Serbia do ta Njohë Kosovën Para Anëtarësimit në BE

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek, tha në Prishtinë se mendon që Serbia do ta njohë Kosovën para anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian.

“Serbia do ta njohë Kosovën para anëtarësimit në BE. Ky është opinion i imi personal”, tha Lunaçek në një konferencë për media të mbajtur në Qendrën Kulturore dhe Informative të BE-së.

Bashkë me raportuesen në largim ishte edhe pasardhësi i saj në këtë detyrë, Igor Soltes.

Në këtë konferencë, Lunaçek tha se ka kryer me dëshirë të madhe punën e raportueses për Kosovën në PE që nga viti 2009.

Ajo tha se Kosova gjatë këtyre 8 viteve ka pasur përparim në disa gjëra, por ka ende vend për përmirësim.

“Kur kam ardhur këtu për herë të parë, në zgjedhjet e 2010 ka pasur dhunë, parregullsi në të gjithë vendin. Ndërsa tash zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë shumë të rregullt. Por, ende ka gjëra që duhet përmirësuar si p.sh. në listën e votuesve, Por, megjithatë ështe mirë“, shtoi Ulrike Lunaçek.

Lunaçek shprehu keqardhje që gjatë këtyre 8 vjetëve nuk ka qenë e mundur të binden 5 vende te BE-së ta njohin Kosovën.

Lidhur me liberalizimin e vizave, Lunaçek u bëri thirrje të gjithëvë në Kuvendin e Kosovës që ta votojnë Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Koha po ecën, ora po ecën. Ju duhet me të vërtetë ta shfrytëzoni këtë kohë, sepse dera mund të mbyllet. Ju më njihni, unë jam mike e juaja”, shtoi ajo.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Ulrike Lunaçek, theksoi se ajo e ka mbështetur dialogun që nga fillimi “sepse është parim mbi të cilin është ndërtuar Bashkimi Europian”.

“Do të donim që realizmi i marrëveshjeve të bëhet nga dyja palët”, theksoi raportuesja e deritanishme për Kosovën në Parlamentin Europian.

Ndërsa, raportuesi i ri për Kosovën në PE, Igor Soltes, tha se nuk është i ri në Kosovë, sepse ka qenë në detyrë tjetër dhe se ka një lidhje me Kosovën, duke treguar se ka ndihmuar në krijimin e disa institucioneve në Kosovë, përfshi këtu edhe sistemin e prokurimit publik.

Soltes tha se Kosova ka legjislacion të mirë, por çështja e zbatimit është pak problem.

“Pa pasur gjyqtarë dhe prokurorë të drejtë, nuk mund të mbroni te drejtat e qytetarëve”, tha ai.

Soltes tha se është ithtar i asaj që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, “por duhet të përmbushen kushtet”.

http://kallxo.com/thaci-lunacek-ze-sinqerte-kosoves-ne-bruksel/

Ndryshe, Ulrike Lunaçek ka ardhur në Kosovë për një vizitë lamtumirëse, gjatë të cilës dje ajo është takuar me presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj, kryeparlamentarin Veseli dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Humbja në zgjedhjet parlamentare të Austrisë që u mbajtën dy javë më parë ka bërë që Lunacek të japë dorëheqje nga funksionet politike brenda Partisë së Gjelbër të Austrisë ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të kthehet as si deputete të Parlamentin Europian, ku e mbante ulësen për disa mandate rresht.