Foto: ZPRK

Thaçi harron korrupsionin e krimin thotë se BE po e diskriminon Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e Evropës ka bërë thirrje për liberalizim vizash dhe të ndalet  diskriminimi i kosovarëve.

Në mesazhin e tij Thaçi nuk ka përmendur në asnjë rast nivelin e lartë të korrupsionit krimit në vend dhe paaftësisë së insitucioneve për ta luftuar atë.

Madje presidenti nuk ka dhënë asnjë mesazh për shtim të angazhimeve nga vartësit dhe qeveria për të përmbushur agjendën evropiane duke tentuar që të argumentojn liberalizimin me dëshirën për të qenë pro evropian.

Thaçi thotë se kriteret për liberalizim të vizave janë përmbushur bile kanë tejkaluar edhe standardet e disa prej shteteve anëtare të BE-së

Ai përmes një publikimi në Facebook  ka thënë se shtetasit kosovarë janë më evropianë se sa disa popuj të tjerë të kësaj familjeje.

“Dita e Evropës, 9 maji, është datë kur u bë hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Një thirrje për bashkimin e prodhimeve nga kryediplomati francez më 9 maj 1950, kishte bërë që të niste projekti i madh i krijimit të familjes evropiane, e cila u zhvillua nëpër vite.

Në këtë ditë të veçantë për Bashkimin Evropian, ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe për qartësimin e perspektives evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane. Kemi përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë.

Ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, mbi të cilat e ka ndërtuar bashkëpunimin me vendet jo anëtare në rajonin tonë. Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.