Dita e Evropës: Çfarë është dhe çfarë përfaqëson kjo ditë?

Origjina e ditës përkujtimore daton që nga viti 1950, kur Evropa ende po shërohej nga pasojat shkatërruese të Luftës së Dytë Botërore.

Secilën ditë të 9 majit, evropianët e festojnë Ditën e Evropës, një rast përkujtimor përmes të cilit nderohet fillimi i e integrimit politik dhe ekonomik të kontinentit dhe paqa e qëndrueshme e arritur si rezultat i përpjekjeve kolektive dhjetëravjeçare.

Festimi daton që nga viti 1950, kur Robert Schuman, ministri i atëhershëm francez i punëve të jashtme, dha deklaratën e tij historike duke propozuar që Franca dhe Gjermania – dy kombe me një histori të gjatë dhe të përgjakshme – të bashkohen me prodhimin e tyre të qymyrit dhe çelikut.

Duke vepruar në këtë mënyrë, Schuman kishte si synim ta përshpejtonte modernizimin e të dy vendeve pas shkatërrimit ekonomik dhe masakrës njerëzore të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, duke i larguar pengesat që mund ta kishin nxitur konkurrencën e pandershme.

Duke i kthyer këto industri kritike të ndërthurura në mënyrë të pandashme, ministri francez kishte një qëllim më të madh: ta bënte një luftë të mundshmë në një jopraktikë dhe të pavlerë.

“Solidariteti në prodhimin e krijuar në këtë mënyrë do ta bëjë të qartë se çdo luftë midis Francës dhe Gjermanisë bëhet jo thjesht e paimagjinueshme, por materialisht e pamundur,” pati thënë Schuman ndërkohë që lexonte deklaratën e tij në Salon de l’Horloge në Quai d’Orsay në Paris me 9 maj 1950.

Me plot zgjuarsi, Schuman e la derën e hapur për vendet e tjera që të bëhen pjesë e kësaj ideje dhe ta sjellin një Evropë të bashkuar vërtetë – një ambicie e ndjekur gjatë periudhës së ndërluftës që u shemb nën peshën e interesave kombëtare.

Ideja e Schuman-it doli e suksesshme: kancelari i Gjermanisë Perëndimore Konrad Adenauer iu përgjigj kësaj ideje në mënyrë pozitive pothuajse menjëherë.

Gradualisht, po krijohej një Evropë e bashkuar

Një vit më vonë, më 18 prill 1951, përfaqësues nga Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu e nënshkruan Traktatin e Parisit dhe themeluan Komunitetin Evropian të Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), një organizatë pioniere e bazuar në parimin e supranacionalizmit.

Nën ECSC, shtetet kombëtare e pranuan transferimin e kompetencave të tyre sovrane të ruajtura me xhelozi drejt një sërë institucioneve evropiane të sapoformuara: një Autoritet i Lartë i pavarur, një Asamble të Përbashkët të parlamenteve kombëtare, një Këshill të Posaçëm i Ministrave të vendeve kombëtare dhe një Gjykatë Drejtësie.

Ndihmësi i ngushtë i Schuman-it, Jean Monnet, i cili tani konsiderohet se ka qenë organizatori pas deklaratës historike, u emërua presidenti i parë i Autoritetit të Lartë.

Përfitimet ekonomike të ECSC, të tillë si tregu pa doganë që e stimuloi tregtinë e qymyrit dhe çelikut, i bindi shtetet anëtare të vazhdojnë një hap tutje se plani i hershëm dhe të sjellin më shumë sektorë dhe fusha politikash nën mandatin supranacional.

ECSC u zhvillua në mënyrë progresive, së pari në Komunitetin Ekonomik Evropian dhe, më vonë, në Bashkimin Evropian.

Katër institucionet origjinale përfundimisht u shndërruan në Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian, Këshillin e BE-së dhe Gjykatën Evropiane të Drejtësisë të cilat ne i njohim sot./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala