Kthehen nga Europa azilkërkuesit shqiptarë - Foto: Facebook

Tentuan Azilin, Kthehen nga Europa 160 Shtetas Shqiptarë

Gjatë pasdites së sotme, në aeroportin e Rinasit janë kthyer me tre avionë të posaçëm 160 shtetas shqiptarë, të cilët kishin abuzuar me kërkesa për azil.

Prej tyre, 69 janë deportuar nga Gjermania, 31 shtetas janë kthyer nga Franca si dhe 60 nga Anglia.

“Vetëm gjatë tre muajve të fundit janë riatdhesuar 2.559 shtetas shqiptarë të kthyer nga shtete si Franca, Belgjika, Gjermania, Anglia, Italia dhe Greqia, ku 1.063 shtetas kanë kërkuar azil dhe 1.496 shtetas kanë shkelur afatet e qëndrimit në hapësirën Schengen”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Policia e Shqipërisë u ka bërë thirrje shtetasve që të mos tentojnë azilin në vendet europiane sepse nuk kanë asnjë shans për të fituar azil dhe vetëm sa do të harxhojnë kohë dhe para.